Skënderbeu i Dajës, më i miri i të gjitha kohërave

Trajneri kryeqytetas ka 10 muaj në stolin korçar. Me rezultatet e fazës së parë ka thyer çdo rekord, duke grumbulluar 25 pikë, si asnjëherë në historinë e klubit

Leonard Trebicka

Skënderbeu i fazës së parë të kampionatit mund të cilësohet pa frikë si skuadra rekordmene e gjithë historisë së klubit juglindor. Presidenti Ardjan Takaj, trajneri Ilir Daja dhe stafi i tij, por edhe gjithë futbollistët, jo vetëm kanë shkruar historinë me kalimin në grupet e Europa League për herë të dytë, por këtë radhë duke kaluar 4 ture, por po bëjnë ligjin edhe në kampionat. Në fazën e parë kanë thyer çdo rekord për sa u përket pikëve të grumbulluara në 9 ndeshjet e para. Me 8 fitore dhe 1 barazim, Skënderbeu ka grumbulluar 25 pikë, shifër e paarritur asnjëherë më parë. Trajneri Ilir Daja ka thyer edhe rekordin e ish-trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josës, i cili në sezonin 2015-2016, pati grumbulluar 22 pikë në fazën e parë. Tri pikë më shumë ka marrë Daja dhe ky është një sukses i madh, me një mesatare prej 2.8 pikë për ndeshje. Përveç rekordit të pikëve,  Daja ka thyer edhe rekordin e golave, duke e bërë Skënderbeun  “makineri” golash, me 21 të shënuar në 9 javë. Skuadra korçare nuk kishte regjistruar asnjëherë një mesatare prej më shumë se 2.3 golash për ndeshje. Bilanci i golave është +16 gola, edhe ky një rekord më vete. Skuadra e Dajës është absolute pas 9 javëve të para, ku ka 7 pikë diferencë nga vendi i dytë.

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, dhe trajneri Ilir Daja, para stadiumit “Partizan” në Beograd, ditën para ndeshjes kundër Partizanit.

10 MUAJ – Merita më e madhe këtij suksesi i shkon padyshim trajnerit Ilir Daja, i cili po regjistron shifra më të mira se paraardhësit e tij në stolin e Skënderbeut. Prej 4 janarit të këtij viti drejton Skënderbeun dhe në 10 muaj ka vënë disa rekorde. E gjeti skuadrën sezonin e kaluar me shumë pikë prapa Kukësit, por arriti të konkurronte deri në fund për titullin kampion. Më pas, për Dajën do të vinte Europa, ku Skënderbeu vendosi rekordin e kalimit të 4 tureve në Europa League dhe rrjedhimisht edhe kaloi në fazën me grupe. Një sukses i madh për Dajën. Duhet thënë se skuadra juglindore po bën një paraqitje të mirë në grupet e Europa League, duke u shfaqur si një skuadër e denjë europiane. Sukseset e Skënderbeut të Dajës vazhdojnë me paraqitjen e shkëlqyer të fazës së parë së parë të kampionatit. Në 9 javë mbetet skuadra e vetme e pathyeshme, pasi ka 8 fitore dhe 1 barazim. Me këtë paraqitje, Daja është përshtatur si një trajner që ka vite që drejton këtë skuadër, por në fakt ka vetëm 10 muaj në krye të bardhekuqve.

Presidenti Ardjan Takaj i ka vendosur notën 10 ekipit për paraqitjen e deritanishme, por sigurisht që këtu “10”-a e parë i takon Dajës e më pas gjithë grupit të lojtarëve. Drejtuesit dhe tifozët po shijojnë skuadrën më të mirë të futbollit shqiptar. Tashmë të gjithë gjykojnë se Skënderbeu është skuadra për t’u mundur, ndërkohë që me këtë ritëm titulli do të vijë më herët në qytetin e Korçës. Kalendari në vazhdim do të jetë “malore”, por Skënderbeu ka treguar se di të kalojë çdo pengesë dhe të thyejë rekorde.

Statistikat e fazave të para të 8 sezoneve të fundit

Sezoni 2010-2011

19 pikë    6f   1b   2h   (16-7)

Sezoni 2011-2012

17 pikë    4f   5b   0h   (8-3)

Sezoni 2012-2013

21 pikë    6f   3b   0h   (16-3)

Sezoni 2013-2014

19 pikë    6f   1b   2h   (14-8)

Sezoni 2014-2015

18 pikë    5f   3b   1h   (10-2)

Sezoni 2015-2016

22 pikë    7f   1b   1h   (18-6)

Sezoni 2016-2017

20 pikë    6f   2b   1h   (11-3)

Sezoni 2017-2018

25 pikë    8f   1b   0h   (21-5)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *