Shqipëri-Ukrainë do të luhet, zbulohet më në fund edhe orari

Absurditeti me miqësoren Shqipëri-Ukrainë zgjati jashtë çdo limiti, por më në fund është zgjidhur gjithçka dhe sfida e së dielës do të luhet normalisht.

U planifikua të luhej në Zvicër, më pas u postua në Francë dhe aty ngeci gjithçka. Trajneri ukrainas Andrij Shevçenko deklaroi para pak ditësh se miqësorja mund të shtyhej dhe për këtë ishte dakord me Kristian Panuçin, për shkak se stadiumi i Evianit dhe fusha atje nuk ishin në parametrat e duhur.

Në fakt, ekzistonte një kontratë me një agjenci që kishte marrë përsipër organizimin e miqësores, ndaj duhej respektuar marrëveshja dhe Supersport raporton se është dashur ndërhyrja e FIFA-s që miqësorja të luhet, me Ukrainën që i duhet të respektojë marrëveshjen duke u paraqitur për miqësoren me Shqipërinë, ose në të kundërt rrezikon të përballet me një gjobë të majme për mosrespektimin e kontratës. Me shumë gjasa nuk do të jetë sfidë edhe aq miqësore, duke parë tensionin e krijuar, aq më shumë që edhe Shqipëria është nën presion të madh pas humbjes ndaj Kosovës.

Takimi mes Shqipërisë dhe Ukrainës, edhe pse FSHF nuk ka dalë me asnjë njoftim zyrtar (!), do të luhet këtë të diel dhe më në fund mësohet edhe orari: do të luhet në orën 16.00 dhe do të transmetohet në Supersport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *