Shpreson një takim me Ibrën, “djaloshi magjik” flak tutje modestinë: Jemi të dy fantastikë

Erling Haland është një nga zbulimet më të fundit në botën e futbollit, që këtë sezon ka shpërthyer në fushën e lojës. “Djaloshi magjik” e bën golin të duket një mission mjaft i lehtë dhe për këtë motiv kavendour në radhë klubet më të mëdha europiane, që e kërkojnë me ngulm. Norvegjezi e tregoi fare qartë se është një investim i sigurt me paraqitjet e tij me fanellën e Dortmundit, ku sapo mbërriti në janar shkoi lehtësisht te porta kundërshtare, si të kishte vite që luante në klub.

Haland ka rrëfyer në një intervistë për “4-4-2” idhullin e tij dhe ai është Zllatan Ibrahimoviç. Megjithëse shpesh njihet për modestinë e tij dhe për faktin se qendron me këmbë në tokë, këtë herë lojtari 19-vjeçar e ka flakur tutje modestinë. Teksa liston arsyet përse adhuron suedezin si dhe të përbashkëtat mes tyre, Haland shprehet se si ai ashtu edhe Ibra janë të dy fantastikë.

“Më pëlqen mentaliteti i Ibrahimoviç dhe mënyra se si ai i sheh gjërat ndryshe. Mendoj se edhe unë gjithmonë e kam pasur të njëjtin besim gjithashtu. Më pëlqen ta shikoj atë duke luajtur si dhe mënyra se si ai kalon nga një ekip në tjetrin, në një tjetër shtet. Kjo nuk është e lehtë, por ai gjithnjë shënon që në momentin e parë. Deri tani nuk kam folur ndonjëherë me Zllatanin, por të shohim se çfarë do të rezervojë e ardhmja, Të shohim nëse Raiola na organizon një takim. Një krahasim mes nesh? Jemi të dy sulmues dhe jemi të sy fantastikë, megjithëse kemi një lojë të ndryshme. Është e vështirë të na krahasosh. Unë jam ai që jam”, ka thënë Erling Haland./Halit Delibashi-Sport Ekspres/