Salihi për “Oskar”, 4 gola dhe kryesim në Austri

Është 33 vjeç, por po luan si të ishte 23 dhe me siguri te Skënderbeu e “qajnë me lot”, edhe pse Ali Soue është një investim i mirë dhe po mundohet të mbushë boshllëkun e lënë nga Hamdi Salihi, superstar në Austri këtë sezon.

Ylli i Viner Nojshtatit po habit në Austri, sepse në divizionin e dytë austriak shkoi për të shtyrë ditët e fundit të karrierës dhe për t’u përgatitur për rolin e trajnerit, por në të vërtetë po ndodh e kundërta. Salihi po luan në nivele fantastike dhe sot shënoi edhe 4 gola, në fitoren 4-2 ndaj Kapfenbergut, ku aktivizohen Rangel dhe Davor Bratiç (kroati shënoi golin e barazimit 1-1), të dy me një të shkuar në Superiore.

Salihi shënoi tre gola në pjesën e parë të ndeshjes, dy herë me 11-metërsh, ndërsa shtoi edhe një gol në minutën e 57-të, duke shuar shpresat e Kapfenbergut, që deri në atë moment ishte duke luftuar për të barazuar.

Fitorja vlen kthimin në krye, të paktën derisa të luajë Ridi, ndërsa edhe Salihi kthehet në krye të listës së golashënuesve më të mirë, me 13 gola në 15 ndeshje, një mesatare fenomenale. Pas tij, Çabi i Ridit ka 12 gola, por Salihi ka shënuar 6 herë golin e parë të skuadrës së tij, duke qenë shumë më vendimtar në krahasim me rivalin, që ka shënuar vetëm një herë i pari për Ridin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *