Rrëfimi i Olainkës: Skënderbeu dërgoi “spiunë” për mua, më “rrëmbyen” natën nga Kukësi

Dikur pjesë e Superiores, ndërsa tani po i ngjit bindshëm shkallët në karrierën e tij si futbollist. Peter Olainka është pjesë e kampionëve të Çekisë, Slavias së Pragës, me të cilët ka realizuar edhe një ëndërr të tijën për të luajtur në Champions League, madje ndaj ekipeve si Barcelona, Inter apo Dortmundi.

Por sulmuesi Nigerian nuk harron të flasë edhe për të shkuarën e tij në Shqipëri, prej nga erdhi edhe katapultimi i tij në Europë. Olainka ka rrëfyer në një intervistë për gazetarin Oma Akatugba mënyrën se si ndodhi kalimi i tij nga Kukësi te juglindorët e Skënderbeut, me të cilët ka në memorie një sezon të jashtëzakonshëm. Nga dyshimet për formën e futbollistit nigerian, “spiunimet” në stërvitje, e deri te hedhja e firmës në kontratë. Kjo është rrjedha e kësaj historie mes Olainkës dhe Skënderbeut.

“Gjatë kësaj kohe, agjenti kontaktoi Skënderbeun, sepse përpara se të largohesha ata shfaqën interes për mua. Fillimisht kishin dyshime dhe menduan se unë nuk isha në një formë të mirë për të firmosur me ta. Kur erdha në Shqipëri, ekipi tjetër, Kukësi, që ishte edhe skuadra e dytë më e mirë e kampionatit më mirëpriti. Skënderbeu dërgoi “spiunë” për të më parë në stërvitje.

Ata panë stërvitjen time dhe donin vërtet që të nënshkruanin me mua. Në fund, unë “u rrëmbeva” më vonë gjatë natës nga ekipi tjetër. Ata folën me agjentin tim, paketuan sendet e mia dhe më morën në kampion e tyre. Kështu firmosa me Skënderbeun. Luajta sezonin tim të parë dhe ishte vërtet shumë i mirë për mua. Kjo ndodhi në 2015-tën”, ka thënë Peter Olainka./Sport Ekspres/