“Ronaldo te Reali? Nuk do befasohesha aspak”, mbrojtësi i Portugalisë trazon ujërat: E ka lënë derën të hapur

Kambanat e alarmit për largimin e Ronaldos nga Juventusi kanë kohë që kanë nisur të bien. Madje një rikthim në radhët e Real Madridit nuk do të ishte aspak befasi për shokun e tij të skuadrës te Kombëtarja portugeze, Jose Fonte. Ky ribashkim është përfolur prej disa kohësh edhe në mediat italiane, ndërsa kriza e krijuar prej Covid-19 mund të bëjë që Juventusi në nxjerrë në shitje 5 herë fituesin e topit të artë për të mbushur arkat e klubit. E në këtë rast Reali do të ishte i gatshëm t’i jepte Ronaldos fanëllën e bardhë të galaktikëve, ndërsa  prezenca në “Santiago Bernabeu“ për të ndjekur “El Classico“ i shtuar më shumë zërat e kësaj piste.

Në një intervistë për “talk sport“, Fonte ka thënë se ylli portugez është i dashuruar me Madridin si dhe me klubin e Realit. Madje shton se Ronaldo e ka lënë gjithnjë derën e hapur. “E di që ai e dashuron Madridin dhe kjo është e sigurt. Është më se e qartë që e dashuron edhe klubin në vetvete. Reali është një nga klubet më të mëdha në botë, për të mos thënë më i madhi. Ronaldo la shumë, shumë miq atje dhe gjithnjë e ka lënë derën e hapur. Kështu që nuk do të befasohesha nëse do të rikthehej sërish të Reali i Madridit“, ka deklaruar Fonte./Halit Delibashi-Sport Ekspres/