Ronaldo: Episodi me Runin në 2006 më terrorizoi, më mungon të luaj me të!

0

Kristiano Ronaldo i është rikthyer dhe njëherë episodit të ndodhur në çerekfinalen e Kupës së Botës të vitit 2006. Portugalia përballej me Anglinë, sfida mbyllej në barazim pa gola dhe goditjet e penalltisë i buzëqeshën luzitanëve, të cilët kaluan më tej.

Gjatë asaj ndeshje ndodhi një episod që shkaktoi shumë polemika. Uejn Runi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 61 për një ndërhyrje kundër Rikardo Karvajos, episod që u pasua nga një sherr i madh. Por, ajo që befasoi më shumë sesa gjesti i arbitrit, ishte ai i Ronaldos, i cili i shkeli syrin drejt pankinës pas ndëshkimit të ish-shokut të tij te Mançester Junajtid.

Sulmuesi i Juventusit e kujton atë episod dhe zbulon se ishte i frikësuar nga reagimi i anglezëve. Me Runin sqaroi gjithçka dhe vazhduan të fitonin së bashku. Ronaldo ka vetëm fjalë të mira për sulmuesin potent anglez dhe e pranon që ai i mungon shumë. Një ditë mund të luajnë përsëri së bashku dhe kjo do të ishte diçka fantastike për nostalgjikët e Junajtid, por dhe fansat e futbollit.

Mediat krijuan një tragjedi, që nuk ekzistoi kurrë. Kështu që, kur u ktheva në Angli kisha frikë, jo për shkak të Runit, por për shkak të tifozëve të kombëtares angleze. Ata bënë shumë zhurmë, kur unë shkela syrin, por kjo nuk kishte të bënte me Runin, por me një situatë tjetër. Ishte një moment i vështirë për mua. Mendoj se kur të kthehesha te Mançesteri, do të më fishkëllenin në të gjitha stadiumet. Tashmë ajo gjë i përket së kaluarës. Kam folur me Runin kur u ktheva në Mançester. Jemi akoma miq, mbajmë kontakte dhe ai më ka mirëkuptuar. Më tha: ‘Kristiano, e kaluara është e kaluar, të flasim për të tashmen dhe të fitojmë trofe së bashku’.

“Ai është një djalë fantastik, Ne gjithmonë e thërrisnim ‘pitbulli’. Më kujtohet se kur e humbiste topin, ishte aq i fuqishëm sa turrej për ta rikuperuar. Uejn është një djalë i fortë, ka një aftësi goditëse të jashtëzakonshme dhe ka shënuar shumë gola. Më mungon, në të ardhmen, ku i dihet, mund të luajmë përsëri bashkë”, përfundon 33-vjeçari portugez.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.