Roma blen talentin rebel të Dinamo Zagrebit

Roma ka zyrtarizuar sot blerjen e mesfushorit kroat Ante Çoriç. Bëhet fjalë për lojtarin më të talentuar të Dinamos së Zagrebit dhe një ndër talentet më të mëdhenj të Kroacisë. Klubi italian do të paguajë fillimisht 6 milionë euro, që mund të shtohen: Nëse Roma e shet brenda dy viteve të ardhshme, Dinamo merr të paktën 2 milionë euro të tjera, ose 10% të çdo shifre mbi 20 milionë euro.

Çoriç ka firmosur kontratë 5-vjeçare me 1 milion euro e në rritje nga viti në vit dhe hedh një hap gjigant në karrierën e vet, edhe pse do i duhet shumë punë e fat për t’ia dalë mbanë të Roma.

Sezonin aktual Çoriç luajti shumë pak, pasi në fillim të sezonit pati probleme me një dëmtim, me pas u bë armik me trajnerin Cvitanoviç kur ky i fundit nuk po e aktivizonte dhe në një ndeshje e futi vetëm 7 sekonda.

Vetëm në muajt e fundit Çoriç nisi të luante rregullisht dhe Roma shpreson të ketë blerë një futbollist të pjekur, pasi Çoriç luan prej 4 sezonesh në nivele të larta, ndaj është koha të bëjë një kapërcim cilësor, duke qenë se Seria A është shumë më e vështirë se kampionati kroat.

“Bëra gjithçka për të ardhur te Roma, një klub i madh. Tani pres me padurim të nis të tregoj sa vlej”, tha Çoriç pas firmës.

Ndërkaq, drejtori sportiv Monçi tha: “Roma ka siguruar një ndër talentet më premtues në Europë. Jam i sigurt se me impenjimin e tij në fushë dhe punën e trajnerit do ta rritim edhe më shumë dhe do të shijojmë  cilësitë e tij për shumë vite”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *