Ramos thumbon Bajernin: Ne flasim vetëm në fushë!

 

Kapiteni i Realit nuk i ka pritur mirë kritikat në Gjermani pas ndeshjes së parë. Nuk lë pa ngacmuar as Barcelonën

Reali i Madridit arriti të fitonte 2-1 në Mynih në ndeshjen e vajtjes në Champions. Por pavarësisht suksesit të “los blancos” në Gjermani e cilësuan këtë si Realin më të dobët që fare mirë Bajerni mund ta kishte shpartalluar 5-2! Një gjë e tillë nuk është harruar në Madrid. Dhe para takimit të kthimit sonte në mbrëmje Serxhio Ramos ka ftuar Bajernin të tregojë më shumë respekt për 12 herë kampionët e Evropës.

Ramos për ndeshjen – “Fakti që gjendemi përpara mundësisë së artë për të luajtur finale e tretë radhazi në Champions na motivon së tepërmi. Për më shumë është dhe një çmim për sakrificat dhe punën që kemi bërë në këtë sezon.”

Respekti për kundërshtarin – “Ne i respektojmë të gjithë rivalët tanë. Nuk më intereson se çfarë thotë një lojtar apo ndonjë zyrtar i Bajernit. Ne flasim në fushë. Historia e Realit është shkruar në fushë, nuk mund ta mohojë askush. Ne shkuam për të fituar në Mynih dhe ia dolëm.”

Liga-Copa del Rey apo Champions? – “Varet ku keni ndër mend të dilni me këtë pyetje, por besoj e kuptoj. Barcelona ka fituar titullin dhe kupën e Mbretit dhe për ta ka qenë një sezon i suksesshëm. Championsi është disi i veçantë, të fitosh këtë trofe është i barasvlershëm me dy të parët, ndoshta dhe diçka më shumë. Mendoj se për Barcelonën dhe për ne sezoni do të jetë i suksesshëm nëse fitojmë Championsin.”

Ndeshja – “Pavarësisht rezultatit në Mynih duhet të zbresim në fushë me idenë e qartë në mendje se gjithçka nis nga 0-0. Objektivi jonë është të fitojmë titullin sërish dhe të fitojmë përsëri kundër Bajernit, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë.”

Krenaria për Championsin – “Për mua të gjithë titujt e fituar në Champions janë njëlloj të rëndësishëm. Tani duket gjithçka e lehtë që po shkojmë në finale, ndërkohë që dukej e pamundur. Askush nuk ka fituar dy herë radhazi Ligën e Kampioneve, por ne e kemi bërë. Ky është një motivim më shumë për të vijuar me suksese të tjerë.”

Publiku në “Bernabeu” – “Është një stadium mitik për ne, sepse të gjithë arritjet historike kanë kaluar nga ky stadium. Kundër Bajernit do të jetë si një finale. Përpara se të arrijmë në Kiev do të kalojmë nga Bernabeu.”

Zidan – “Rezultatet flasin vetë. Ne jemi krenar që na udhëheq një trajner si Zizu. Ndoshta e kanë kritikuar, por kur fiton trofetë ia mbyll gojën të gjithëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *