Përse Fino është “fati” i Dukës

0

Teorikisht, pas 16 vitesh në një poltronë një kandidat realisht i fortë do ta kishte bërë presidentin aktual të federatës të ndihej i rrezikuar në ambicien e tij të shprehur publikisht: Vetëm Zoti mund të më thotë mjaft. Pavarësisht se 4 vitet e fundit në mënyrë ironike kanë qenë më të mirat e epokës, konsumimi, lodhja, marrëdhëniet dhe akuzat duhet të kishin bërë të sajën. Në këtë kontekst, Duka është treguar vigjilent. Në këto 4 vite ai arriti pothuaj gjithçka që nuk ia doli dot ta bënte në vitet e shkuara. Kombëtarja e futbollit shkoi në Kampionat Europian dhe zgjedhja e De Biazit në krye të pankinës apo strategjia e hapjes së tregut kuqezi duke thithur shumë lojtarë që më parë kishin luajtur në përfaqësueset e tjera është një strategji e tij dhe pa diskutim trofeu më i rëndësishëm në CV personal të presidentit aktual. Shndërrimi i statusit juridik të klubeve dhe dhënia e një forme biznesi të shumë skuadrave elitare, rënia në mënyrë drastike e raporteve për ndeshje të dyshuara nga UEFA, rritja e së drejtës televizive, rënia e dhunës gati zero për Kategorinë Superiore, ndërtimi i shumë fushave dhe tre stadiumeve kombëtare, si dhe aftësia negociuese me shtetin në këtë drejtim, për ta mbyllur me influencën deri në paranojë për gjithë anëtarët e UEFA-ss për të njohur Kosovën. Të gjitha këto janë arritje që Duka jo nga mungesa e dëshirës, por me siguri nga mungesa e përvojës, rrethanat dhe kushtet në të shkuarën nuk i kishte bërë.

Megjithatë, ka pasur gjithnjë diçka të çuditshme sa herë përmendej presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Imazhi i tij në publik ka qenë relativisht i keq, njerëzit prej vitesh krijuan bindjen se ai ishte një lloj sulltani apo mbreti dhe se çfarë donte ai bëhej në sportin më popullor. Sigurisht që për ta ndihmuar këtë lloj rryme mendoi vetë futbolli. Ky sport është garë, emocion dhe akuzat e humbësve, qofshin të drejta apo të gabuara, kanë ndikuar në këtë lloj popullariteti negativ. Nëse disa muaj më parë në Instagram, Facebook apo ueb bëheshin sondazhe në lidhje me dëshirën e njerëzve, me siguri Duka do i kishte humbur zgjedhjet, madje në kuotat 90% në disfavor të tij. Një nga arsyet e këtij rezultati është edhe mënyra se si ai dhe institucioni kanë reklamuar punën e bërë. Kjo është pa diskutim një nga pikat e tij më të dobëta. Në këto kushte, të një bezdisjeje popullore dhe mes akuzash sidomos nga Superiorja – pothuaj nga të gjithë – klima nuk fliste në favor të presidentit aktual. Pra, një rival i fortë në mos e bënte humbës, me siguri do e trondiste. Çfarë ndodhi?

Si i thonë fjalës, të duhet një rival i vërtetë për të kuptuar se çfar ke bërë,. Njëfarësoj sukseset e harruara. Sot nëse u hedh një sy sondazheve, populli befas është bërë me Dukën. Në rastin më të mirë sondazhet thonë 50 me 50, ndërkohë që në shumicën e rasteve Duka kryeson në raport me rivalin e tij. Nuk është vetëm Fino dhe dalja e tij publike që i ka ulur ndjeshëm të kënaqurit me Dukën. Njerëzit ndoshta kanë filluar të kujtojnë se çka bërë dhe i kanë vënë më së shumti gjërat në peshore.

Pavarësisht analizave, në këtë moment Fino është fati i Dukës. Në këto zgjedhje presidenti aktual mund të vrasë dy zogj me një gur, rivalin dhe opinionin. Rival nuk ka pasur asnjëherë, opinionin e ka pasur gjithnjë kundër. Fino nuk është kandidatura e përshtatshme për të drejtuar FSHF-në. Jo pse vjen nga politika, jo se është deputet, jo se ka qenë ish-kryeministër. Sepse është sekretari i përgjithshëm i partisë në pushtet. Mjeti justifikon qëllimin dhe Fino i ka hyrë kësaj gare dhe duke llogaritur tek-tuk bashki të majtë që votojnë politikisht pa pasur ndonjë, le të themi, qëllim sportiv. Asgjë të keqe nuk ka në një garë, përkundrazi çdo kundërshtar mund dhe duhet të përfitojë nga çdo aksesor. Por papritur gjithçka është kthyer në një bumerang.

Duke i dhënë ngjyrim politik kandidimit Fino ka aktivizuar kundërshtarët. PD dhe LSI janë në kërkim të vazhdueshëm të gjërave ku mund të kapen dhe në publik qëndron. Pasi morën tepsinë e shtetit duan të marrin dh tepsinë e futbollit. PS nuk duhet të bëjë sikur nuk është fair. Imagjinoni çdo thoshte Edi Rama në opozitë nëse sekretari i përgjithshëm i PD-së do kandidonte në futboll. Duke aktivizuar kundërshtarët Fino rrezikon t’i zhvlerësojë dhe votat që ka në letër. Bashkitë e majta nuk janë më shumë se ato të djathta dhe në këtë sens votat mund të barazohen. Nga ana tjetër, disa Bshki të majta nuk e kanë votën nën kontroll, sepse janë klube me shoqëri aksionere nga biznesi. Bashki si Tirana, Durrësi apo Fieri për shembull, janë ekstremisht të majta, por presidentët votojnë sipas interesit sportiv.

Përveç kësaj logjike, Fino e ka bazuar fushatën te marrëdhënia me partinë dhe lobimi që mund të bëjë me kryeministrin për të rritur sa më shumë të ardhurat për futbollin sidomos në infrastrukturë. Këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, sa më shumë para aq më mirë, por larg qoftë nëse një ditë për shembull kjo qeveri bie dhe në pushtet vjen e djathta. Politika na ka mësuar që ‘për inat të sime vjehrre shkoj me mullixhiun’ dhe bllokimi i fondeve do ishte praktikisht një vdekje klinike për projektin Fino. Në përgjithësi premtimet e Finos nuk kishin kreativitet, ishin gjëra që lidheshin me infrastrukturën dhe rezultatet sportive që janë në fakt dy armët më të forta të Dukës. Emrat e servirur nga Fino për qeverinë e futbollit janë gjithashtu njerëz të dëgjuar në kohën Duka. Prodani dhe Jupi, për shembull, ish-sekretar federate dhe ish-pjesë e rëndësishme e sektorit të të rinjve, të dy për shumë vite. Dhe ky është një autogol, sepse në mënyrë indirekte jep mesazhin që Duka ka bërë zgjedhjet e duhura. Për më tepër ajo që të vret veshin në këto moment është që klubet që kanë presidentë, pra njerëz nga biznesi, qartësisht ose në mënyrë të tërthortë, janë vendosur pro Dukës dhe kjo është një tjetër sinjal se mesa duket qenka futbolli kundër politikës.

Meqenëse jemi këtu, vetë Fino dhe Partia Socialiste e angazhimi i bashkive po e mitizon Dukën, gjë që e bëri edhe Berisha para 12 vitesh kur donte me pahir t’ia hiqte karrigen e kreut të FSHF-së. Akuzat për vjedhje të parave të UEFA-s janë një çudi e madhe nëse i referohesh për shembull trajtimit që UEFA i bën “hajdutit” Duka. UEFA për vite të tëra e ka konsideruar Dukën anëtar të rëndësishëm në komisionin e ekipeve kombëtare, ndërsa së fundi është shef i komisionit të investimeve për Europën në projektin Hat Trick. Si ka mundësi që një njeri që vjedh paratë e UEFA-ss llastohet kaq shumë nga UEFA? Për të për mos përmendur faktin që fitoi 25 vota për anëtar komiteti, praktikisht gjysmën e Europës.

Mund të ketë shumë arsye se përse Duka nuk është më njeriu i duhur për të drejtuar federatën, por fushata që po bën Fino dhe angazhimi politik i palëve e çon ujin te mulliri i Dukës. Jo më shumë te zgjedhjet, aty ku ai luan në fushën e vet dhe ndihet gjithnjë e më i fortë, por mbi të gjitha në opinion. Njerëzit kanë filluar ashtu me droje të thonë: paska bërë diçka.

Alfred Mane

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image