Përforcim nga Tetova për Partizanin, vjen Ramadani

Merkatoja për Partizanin vijon të jetë e hapur. Skuadra e Sulejman Starovës pret të tjera afrime, pas largimeve në masë që bëri pak kohë më parë. Siç raportohet në “infOSport.mk” lojtari më i ri i “demave” do të jetë Emran Ramadani. 25-vjeçari, i cili ka qenë pjesë e Renovës, raportohet se ndodhet në Tiranë që mbrëmjen e djeshme dhe sot do të konkretizojë marrëveshjen me kryeqytetasit. Ramadani ka qenë një nga lojtarët më të spikatur në radhët e Renovës, ku aktivizohet prej vitit 2013.

Mësohet se mesfushori ofensiv do të nënshkruajë për dy vite me skuadrën e Partizanit. Në këtë mënyrë Ramadani i shtohet lojtarëve që këtë sezon kanë zgjedhur që të lënë kampionatin e Maqedonisë për të luajtur në Superiore.

Ramadani luan më së shumti në krahun e djathtë të mesfushës, por mund të aktivizohet dhe si sulmues krahu. Më herët 25-vjeçari ka qenë pjesë e Shkëndijës, por dhe e Hajduk Kulas në Serbi. Për të do të jetë eksperienca e parë në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *