Partizani vendos këtë javë për trajnerin e ri, mendjen edhe te vendimi i CAS-it për Skënderbeun

0

 

Partizani do të vendosë këtë javë për teknikun e ri. Shumë alternativa, por ende nuk është vendosur asgjë. Mendja është dhe nga CAS-i

Duket se më në fund gjërat te Partizani do të bëhen konkrete. Në klubin e “demave” do të merret vendimi për trajnerin e ri. Tekniku elbasanas, Klevis Dalipi, me shumë gjasa nuk do të jetë më pjesë e kryeqytetasve. Pavarësisht fjalëve, ende nuk ka një shkarkim zyrtar nga ana e të kuqve për teknikun 42-vjeçar. Ai ka shprehur dëshirën e tij për të qëndruar dhe drejtuar skuadrën e kuqe, por nuk do t’i besohet vazhdimësia e ekipit.

Partizani kërkon që të bëjë një ekip shumë të mirë për sezonin e ardhshëm, pasi synon titullin kampion. Me Skënderbeun që mund të dënohet lufta më e fortë pritet të jetë me Kukësin, nëse nuk ndodh ndonjë surprizë e bukur. Në kushte të tilla, drejtuesit kanë menduar të ndërtojnë një strategji të mirë dhe të mos bëjnë gabime si në sezonet e shkuara. Një nga dilemat më të mëdha të këtij fillim-sezoni është çështja e trajnerit të ri, pasi ende nuk ka dalë tym i bardhë nga zyrat e klubit të kuq. Kjo është diçka paksa pa sens, pasi klubi mund të detyrohet të nisë nga përgatitjet në kohë rekord. Megjithatë, burime të besueshme pranë të kuqve bëjnë me dije se vendimi për teknikun e ri do të merret gjatë kësaj jave.

TRAJNERI I RI – Me shumë mundësi, ndryshimet më të mëdha të “demave” do të ndodhin gjatë kësaj jave. Drejtuesit u kanë lajmëruar kandidatëve në garë për të marrë drejtimin e tyre se do të marrin vesh përgjigjen brenda javës. Kjo do të thotë se situatat janë qartësuar paksa dhe vendimi për trajnerin e ri mund të jetë marrë brenda klubit të kuq. Ekskluziviteti për të vendosur trajnerët është i presidentit Gaz Demi. Ai e ka shprehur hapur këtë në një intervistë të tij për “Zona Gol”, në “Supersport”. “Të flasim hapur, trajnerët i vendos dhe i heq unë. Nuk ka borde drejtuese, pavarësisht se themi kështu, por janë vendimet e mia ekskluzive për trajnerin”.

Në kushte të tilla, zgjedhja e trajnerit të ri dhe stafit teknik është në duart e tij, në këtë vendim do të ketë ndikim dhe Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, pasi është ky i fundit që po merret me merkaton e “demave”. Situata në klub është ende në ajër, pasi pa u vendosur trajneri nuk do të ketë asnjë vendim as për lojtarët që do të largohen, ose do të afrohen. Zgjedhja brenda javës e trajnerit ka logjikë, pasi pritet që vendimi i CAS-it të merret dhe të nisë menjëherë nga puna. Në klubin e kuq besojnë se do të jenë ata përfaqësuesit e Shqipërisë në Europa League dhe se vendimi i UEFA-s nuk do të ndryshojë, por dhe nëse ulet të paktën nuk do të falen korçarët. Të shohim dhe të presim se çfarë do të ndodhë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.