“Opinionisti” De Biazi flet për rritjen e Zvicrës, u shpjegon italianëve simbolin e shqiponjës

Ish-trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, është i lidhur ngushtë me vendin tonë jo vetëm për shkak të pasaportës së tij, një mundësi për të paguar më pak taksa, por dhe për shkak se në Shqipëri arriti kulmin si trajner. Italiani kaloi periudhën më të mirë me Kombëtaren tonë, të cilën e kualifikoi dhe për “Euro 2016”.

I ftuar në rolin e opionistit në “Rai”, tekniku flet për ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Suedisë, por nuk harron të flasë dhe për simbolin e shqiponjës të bërë nga lojtarët shqiptarë të Zvicrës. Në analizën e tij për takimin e sotëm, italian shpjegon: “Zvicra është favorite për të kaluar në çerekfinale. Ndryshe nga Gjermania, ekipi helvet nuk do t’i japë mundësi Suedisë ta zërë në kundërsulm, pasi zviceranët mendojnë fillimisht për mbrojtjen. Filozofi që ka futur trajnerit Petkoviç”.

Trajneri flet dhe për rritjen e Zvicrës. “Ekipi helvet është rritur nga ‘Euro 2016’. Janë më mirë fizikisht dhe taktikisht. Shqipëria ka luajtur shpesh me Zvicrën dhe shpresuam t’i merrnim një pikë dhe në Kampionatin Europian të Francës. Tashmë, Zvicra mund t’i kthejë rezultatin Brazilit (i referohet barazimit 1-1) dhe Serbisë (i referohet fitores 2-1)”.

Në fund, nuk mund të mungonte dhe një shpjegim për simbolin e shqiponjës nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. “Mendoj se e gjithë historia është absurde, kam mësuar në Shqipëri se ky gjest është një angazhim për vendin dhe popullin, është një shenjë miqësore, jo provokim. Lojtarët kanë shumë njerëz me rrënjë të ndryshme në botë dhe sidomos në Zvicër, dhe kjo është normale në ditët e sotme, dhe është për të ardhur keq që ai simbol ka lënë një diskutim kaq të madh pas asaj fitoreje”, – u shpreh ish-tekniku De Biazi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *