Nuk është thjeshtë…lojë me top! Spanja gati për vendimin e guximshëm, e shohin si vaksinë ndaj COVID-19

Nga Klaudio Ndreca

Futbolli nuk është thjeshtë një lojë me top dhe ku vrapojnë 22 veta për ta ndjekur këtë sferë. Prej kohësh dhe në vendet më të zhvilluara, është kthyer në industrinë e dytë më të fuqishme. Teksa bota ka kapluar prej vitesh në një krizë të thellë, në futboll ka vetëm rritje stratosferike të shpenzimeve dhe vlerave të lojtarëve, që tejkalojnë fantazinë duke e krahasuar me përpara disa vitesh.

Kjo vjen e gjitha për shkakun e një numri mjaft të lartë të tifozëve dhe sportdashësve kudo në botë, që nuk mund të jetojnë dot pa futbollin. E një gjë të tillë e dëshmon qartë edhe periudha që po jetojmë, në anormalitetin e COVID-19.

Të gjithë njerëzit janë të mbyllur në shtëpi për të shpëtuar jetën e tyre, por pa asnjë mundësi argëtimi nga normaliteti. Kështu Spanja është gati për të marrë një vendim shumë të guximshëm. Qeveria po e sheh dhe e ka kuptuar qartë atje se futbolli nuk është thjeshtë një lojë me top. Sipas asaj që raportohet nga mediat prestigjoze spanjolle, po bëhen gati mijëra testime që t’i vendosen në dizpozicion lojtarëve dhe klubeve.

Në këtë shtet që vazhdon të jetë një ndër më të prekurit në botë nga pandemia, u kuptua se njerëzit duhet të shohin një dritë në këtë tunel të pashpresë dhe që nuk i dihet fundi. Për këtë arsye futbolli duhet të rikthehet menjëherë, si një sinjal për t’iu rikthyer normalitetit, por njëkohësisht edhe mundësi argëtimi për të gjithë ndjekësit.

Pra në kushtet kur vaksina ende nuk ka dalë, le të themi se për sportdashësit e futbollit në Spanjë po gjendet një kurim i përkohshëm. Në ditët në vazhdim pritet të merret edhe një vendim përfundimtar, por shpresat janë të mëdha që futbolli të rikthehet në kushtet e sigurisë maksimale, brenda një kohë të shkurtër. Nga ana tjetër edhe në Gjermani pritet një vendim i qeverisë, që kampionatet të nisin në javën e parë të majit. /Sport Ekspres/