Një kampion për Kosovën, Gjoka pranë dhe larg stolit të përfaqësueses

0

Ish-trajneri i Kukësit është një nga emrat që shihen si alternativa për të drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës, pas largimit të paralajmëruar të Bunjakit

Ernest Gjoka te Kosova, ky është lajmi i bujshëm i ardhur ditën e djeshme nga Kosova. Një ide që qarkullon prej javësh, por që dje e ka konfirmuar Telegrafi, që raporton se presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka përpiluar një listë me kandidatë të mundshëm për stolin e Kosovës dhe mes tyre është edhe Gjoka.

BUNJAKI – Trajneri aktual i Kosovës, Alber Bunjaki, do të largohet muajin e ardhshëm. Një fushatë eliminatore e dështuar në aspektin e rezultateve, me vetëm një pikë deri tani, ka bërë që Bunjaki të dorëzohet, i mbytur nga kritikat, pasi skuadra ka në përbërje emra shumë cilësorë. Talente pa fund, por skuadra nuk është ndërtuar ende dhe duhet kohë, kohë që Bunjaki nuk e ka më në dispozicion, pas disa vitesh në drejtim.

GJOKA – Sezoni i fundit e fundit në “Olimpin” e trajnerëve shqiptarë, me Superkupën dhe titullin kampion që fitoi me Kukësin. Tashmë Gjoka është i lirë, pasi e mbylli në verë me Kukësin dhe pret qetësisht ofertën e duhur. Pa qenë nevoja ta pyesësh, nuk do mend të kuptosh që një ofertë nga Kosova do ta joshte shumë, pasi përtej rezultateve aktuale, Kosova ka në gjirin e vet shumë talente dhe nëse një trajner ia del të bëjë mirë aty, atëherë është një hap gjigant në karrierë. Gjoka ka punuar vetëm në nivel klubesh deri tani, ndaj është një terren i panjohur për të puna me përfaqësueset dhe ndoshta është tepër i ri për të tentuar një aventurë të tillë, por Kosovës nuk i thuhet “jo”.

PRO DHE KUNDËR – Në Kosovë nuk i kanë nisur ende takimet, ndaj nuk mund të thuhet zyrtarisht se Gjoka po bisedon me drejtuesit e FFK-së. Ajo që duhet sqaruar është se përveç Gjokës, në listë janë shumë emra të njohur. Disa i kërkon FFK-ja e disa ia ofrojnë menaxherë apo miq të Vokrrit. Zgjedhja nuk është e lehtë dhe do të duhen shumë muaj bisedime, për të bërë zgjedhjen e duhur, sepse në Kosovë duan sukses, që jo detyrimisht do të thotë të bëhen gjëra të mëdha, por në radhë të parë të ndërtohet skuadër solide dhe premtuese për të ardhmen. Emrat në listën e Vokrrit janë nga e gjithë Europa, por sidomos nga Ballkani. Në favor të Gjokës shkon fakti që është shqiptar, pra nuk ka problemin e ambientimit dhe të gjuhës, por edhe në aspektin financiar Gjoka ndoshta nuk ka pretendimet e ndonjë trajneri me emër të madh, si Sreçko Katanec, një ndër emrat e përfolur. Nga ana tjetër, te Kosova duan një trajner që të ketë pasur sukses me ndonjë kombëtare në të shkuarën, ndaj po maten mirë. Konkurrenca është e madhe, ndërhyrjet te Vokrri po ashtu, por e sigurt është që nëse Gjokës do t’i propozohej si mundësi, do të ishte një tjetër hap gjigant përpara në karrierë, pas aventurës së shkëlqyer me Kukësin.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here