“Në Shqipëri jepen ndeshjet në televizor”! Lojtar i Bylisit na krahason me Uruguain: Më e vështira? Gjithë natën pa ngrënë

Një nga afrimet më të mira në merkaton e dimrit për Bylisin ishte futbollisti uruguaian, Emiliano Mozzone. Një lojtar që po jep përtej pritshmërive, duke garantuar siguri për ekipin e Dovedan. Një rrëfim të gjatë ka bërë për “Balonlatino”, duke treguar Shqipërinë dhe futbollin tonë.

Përgjithësisht ka një krahasim me Uruguain, një vend të vogël, por që në futboll prodhon tmerrësisht shumë dhe ka suksese edhe sa i përket Kombëtares. E vetmja vështirë për Mozzonen ishte në zakonet e ushqimit dhe oraret, me një përshtatje që ka kërkuar më tepër kohë.

“Mbërritja ime në Shqipëri ndodhi në momentin e fundit. Ndodhi në ditët e fundit të merkatos. Pashë se te Fenix ku unë isha nuk po më merrnin më në konsideratë. Nuk doja të kaloja edhe një fazë tjetër pa luajtur. Sinqerisht kisha luajtur pak atje dhe nuk po e kuptoja arsyen, pasi në përgatitje shfaqesha shumë mirë, por nuk gjeja vend në skuadër. Pastaj e kupton se erdhi momenti për të ikur.

Objektivi im ishte që të luaja dhe të kisha minuta. Më folën shumë mirë për futbollin në Shqipëri. Të gjitha ndeshje këtu jepen në televizion, ka ndeshje për Kupë gjatë javës dhe mundësi për të mbërritur në faza si të “Champions League”. Ishte si një dritare edhe për vende të tjera që janë përreth dhe prandaj unë e vlerësova.

Është vërtet e ngjashme me Uruguain. Me shumë ritëm dhe me përplasje fizike. Dallimi është se këtu nuk ka aq lojtarë të mirë kur bëhet fjalë për duelet një me një. Nuk ka lojtarë të shpejtë dhe që të shënojnë gola. Shumica e skuadrave kanë lojtarë të huaj që përmbushin këtë rol.

Është si në Uruguaj edhe për pjesën e terreneve sportive. Më e mira është “Air Albania” dhe pse nuk kam luajtur ende aty. Ekipet më të vogla kanë fusha në gjendje të mirë dhe e njëjta gjë edhe për t’u stërvitur.

Bylisi? Ballshi është qytet i vogël, por të gjithë e mbështesin ekipin dhe e ndiejmë në ndeshjet në fushën tonë. Vështirësia më e madhe mes zakoneve tona (Uruguai-Shqipëri)? Po pjesa e ushqimit ishte e vështirë për mua. Qendrova në hotelin e klubit. Jepen tre vakte në ditë. Hanim mëngjesin diku rreth orës 9:30, pastaj drekën në 11 dhe darkën në 7 pasdite. E kaloja gjithë natën pa ngrënë. Kjo është më e vështira, se pjesa tjetër është njësoj si në Uruguaj.

Sa i përket Koronavirusit, u përcaktuan oraret që njerëzit të shkonin në supermarket dhe farmaci, ato janë të vetmet gjëra që janë të hapura, deri në 1. Pastaj policia kalon dhe ata ju dërgojnë në shtëpinë tuaj nëse jeni jashtë, ata gjithashtu dezinfektojnë rrugët. Për fat të mirë arritën të kontrollojnë gjithçka shpejt dhe u është dashur të zbatojnë karantinë të detyrueshme”, tha Mozzone. /Sport Ekspres/