“Mit? Ishte hakmarrja ime ndaj Italisë”, De Biasi rikthehet te suksesi me kuqezinjtë

Xhani De Biasi arriti atë që askush më parë nuk e realizoi dot në stolin e Shqipërisë, duke i dërguar kuqezinjtë në finalet e Euro 2016. Një sukses i jashtëzakonshëm ky për një Kombëtare si e jona dhe për këtë meritat padyshim që nuk munguan për trajnerin italian, që i rrëmbeu zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Ndërkohë periudha me Shqipërinë ka lënë gjurmë edhe në mendjen e De Biasit, që e përmend sa herë i jepet mundësia. Së fundi, tekniku italian ka treguar në një intervistë për mediat e fqinjve përtej Adriatikut se ky sukses në stolin kuqezi ishte edhe hakmarrja e tij kundrejt futbollit italian. Gjithashtu shton se kjo Euro 2016 është në një farë mënyre një medalje që shqiptarët e mbajnë fort pranë zemrës.

“Do ta lija mënjanë termin mit. Ishte hakmarrja ime personale ndaj futbollit italian. Për mendimin tim futbolli me Kombëtaret është diçka që bëhet në një mënyrë tjetër nga ai në ekipe të caktuara dhe të kesh frenat e komandës si trajner, duke qenë në gjendje të zgjedhësh lojtarët më të mirë edhe pse jo në nivelin e parë, duke u përpjekur të bëj një grup të mendojë si një i vetëm dhe në të njëjtën kohë të përmirësoj cilësitë teknike të lojtarëve, mendoj se ishte një punë e rëndësishme.

Dy vitet e para më shërbyen për të kuptuar mentalitetin e Ballkanit dhe në të njëjtën kohë unë isha në gjendje të sjell mënyrën time të të parit të futbollit, duke u munduar që gjithmonë të sjell diçka në shtëpi. Besoj se në fund e bëmë duke arritur diçka të rëndësishme dhe të papritur për më shumë, por jo për mua. Unë isha i bindur se nëse do të më ndiqnin mua, mund të mbeteshin në historinë e vendit të tyre, duke e çuar Shqipërinë në një fazë përfundimtare të një kompeticioni evropian .. Unë mendoj se është një medalje që ata e mbajnë të vendosur mirë në zemër “, është shprehur De Biasi./Sport Ekspres/

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *