Metodat e Serbisë nuk njohin limit, Djokoviç kthehet në “top“ të politikës për të hequr njohjen e Kosovës

0

Serbia vijon të mos e pranojë realitetin në sy dhe ngulmon ende për territoret e Kosovës. Shumica e vendeve e kanë njohur Kosovën si një shtet të ri, megjithëse qeveria serbe lobon për të tërhequr pavarësinë e tyre. Madje për të arritur synimin e tyre përdorin edhe sportin, më saktë një nga figurat më të njohura të tyre, Novak Djokoviç. Media zviceriane “Blick“ bën me dije se numri 1 i tenisit në botë mund të përdoret për të bindur shtetet e huaja të mos njohin pavarësinë e Kosovës.

Edhe vetë Ministri i jashtëm, Ivica Daçiç, ka konfirmuar një gjë të tillë për mediat serbe ku është shprehur me fjalët: “Djokoviç më ka pyetur gjithmonë se çfarë duhet të bëjë dhe ishte i lumtur për çdo tërheqje të njohjes së Kosovës. Shumë qeveritarë më pyesin për të. E telefonova Djokoviç dhe i thashë t’u dërgojë një top tenisi ose raketë me autograf”.

Ndërkohë vetë tenisti e ka bërë të ditur më parë në mënyrë të hapur idenë e tij nacionaliste, ku ngulmon në idenë se Kosova është Serbi, ndërsa në vitin kur u shpall pavarësia do të shprehej: “Jemi gati të mbrojmë atë që me të drejtë është e jona. Kosova është Serbi”. Serbët së bashku me nurmin një të tenisit në botë po luftojnë për një kauzë të humbur dhe që nuk ka aspak vërtetësi, megjithatë duken të bindur të përdorin çdo mënyrë të mundshme për t’ja arritur qëllimit të tyre. Djokoviç di të luajë mjaft mirë me topin, por këtë herë është politika që po e përdor si të tillë dhe po luan me të./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.