“Më pëlqejnë lëvizjet e Zapatas dhe Lukaku me Balotelin si lojtar”, sulmuesi i Kukësit që askush nuk e njihte

Godber Cooper, është ky sulmuesi 22-vjeçar që mori Kukësi në merkaton e fundit. Rreth 5 vite tek të rinjtë e Atalantës dhe pjesa tjetër rreth Portugalisë, Zvicrës dhe tani në Shqipëri. I marrë në merkaton e fundit, por që nuk njihej nga askush. Madje as nga vetë trajneri i Kukësit, asokohe Shpëtim Duro, që do të shprehej se nuk kishte informata për sulmuesin që iu soll në skuadër. Në një intervistë për “Tuttomercatoweb”, Cooper ka treguar modelet e tij, njëkohësisht edhe izolimin nga Koronavirusi.

“Duvan Zapata më pëlqen për lëvizjet. Po aq sa Lukaku dhe Baloteli në këndvështrimin futbollistik. Shoh, studioj dhe përpiqem të mësoj shumë. Familja ime jeton në provincën e Bergamos, dua që të shkojë në shtëpi, por është e pamundur. Rastet po rriten atje dhe jam më mirë këtu në Shqipëri. Jam i shqetësuar kur shoh rastet në Itali. Këtu jam mirë, në izolim vullnetar. Jam mirë, por me mendjen në Itali. Sa i përket stërvitjes, jemi peulluar për kampionatin. Do të doja të shkoja për vrap, por duhet ta parandalojmë këtë virus”, ka thënë Cooper. /Sport Ekspres/