Lojtari që luajti me 3 porta, Sadiku e thotë copë: Nuk luaj më te Shqipëria, sikur të isha me Suedinë

Nëse ka një libër “Guinnes” për lojtarët që kanë ndërruar zgjedhjet për Kombëtare, atëherë fituesi i vetëm do të ishte Loret Sadiku. Mbrojtësi që aktualisht luan me Kasimpasa ka një histori shumë të koklavitur mbi ndërrimet e mendjes.

Fillimisht ishte pjesë e të rinjëve te Suedisë dhe po e priste një ftesë prej tyre. Më pas për të ardhur te Shqipëria, atje ku luajti vetëm në media dhe gazeta, pasi në fushë nuk doli kurrë. E ndërkohë që ishte pjesë e kuqezinjëve, Sadiku doli në fushë te Kosova. Pikërisht mbi këtë rast tërësisht të pazakontë, ka bërë një rrëfim vetë futbollisti që është shprehur se tani nuk dëshiron më të luaj te Shqipëria. Kushti i tij i fundit ishte vendi i titullarit, por që nuk u pranua.

“Unë kam luajtur për Suedinë U-21. Pastaj kur erdhi puna për Kombëtare A, mora ftesë nga Suedia dhe Shqipëria. Do të ishte shumë, shumë herë më mirë të shkoja te Suedia. Shkova njëherë te Shqipëria për dy ndeshje që kishin ata kundër Qiporos dhe Zvicrës. Dolën problemet me dokumentet dhe nuk luaja dot. Pastaj kishte një ndeshje të rëndësishme te Kosova. Doja të shkoja andej dhe i thashë trajnerit të Shqipërisë asokohe. Por ai nuk e priti mirë vendimin tim dhe unë shkova.

Pastaj kur më kërkuan mua, nuk e harrova atë që ndodhi më herët. I thashë që unë vij, por dua vend të garantuar titullari. Kështu kisha garanci te Kosova dhe vazhdova aty derisa FIFA nuk më lejoj që të ndërroja më shumë se dy Kombëtare. Prandaj jam duke pritur. Shqipëria nuk më ka ftuar për momentin, por unë nuk do të doja të luaja më atje tani, megjithëse nuk ka pengesa”, ka thënë Sadiku. /Sport Ekspres/