Lipi: Italisë i duhet ndryshim total. Gatuzo, zgjedhja e duhur për Milanin

Marçelo Lipi tashmë drejton Kinën, por kjo nuk do të thotë që nuk e ndjek rregullisht futbollin italian. Trajneri kampion bote në vitin 2006 ka lëshuar një intervistë për Sky Sport. Ku ka folur për dështimin e kombëtares, problemet e futbollit italian dhe krizën e Milanit.

“jam dakord me ata që thonë se problemi i Italisë nuk është gjetja e një trajneri, ka plot trajnerë që mund ta bëjë shumë mirë atë punë”, shprehet Lipi.

“Problemi është një tjetër: të arrish të ndërtosh një ambient në të cilin të punojnë njerëz që e njohin futbollin dhe që kanë jetuar në të, persona që duan të riprogramojnë futbollin. Damiano Tomazi? Nuk dua të përmend asnjë emër, por emrat që kanë dalë në media mendoj se janë të duhurit”.

GATUZO DHE MILANI – Për Marçelo Lipin nuk është befasi ulja e Rino Gatuzos në stolin e Milanit, pasi sipas tij Milani ka bërë mirë që i ka besuar një kampioni bote: “E prisja Gatuzon trajner, sepse ma ka shprehur këtë dëshirë, ka grumbulluar eksperiencë, ka pasur përulësinë ta nisë nga poshtë dhe me luhatje të shumta. Dashuria e tij për Milanin e ka çuar të punojë te të rinjtë dhe tani ka ndodhur ajo që ndodh shpesh, kur trajneri i të rinjve merr drejtimin nëse skuadra e parë është në moment krize. Milani ka bërë zgjedhjen e duhur, Gatuzo është njeri me karakter të fortë dhe një pikë referimi, edhe pse nuk dua të ul vlerat e Montelës, por duket sikur Milani ka probleme me vetëbesimin dhe rrëzohet në vështirësinë e parë. Thjesht i duhet besim në vetvete, mendoj se Gatuzo mund ta ndihmojë në këtë drejtim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *