Lëviz Vllaznia, vijnë një serb e një malazez

0

Me kuqeblutë bashkohen në stërvitje portieri Bojan Zogoviç dhe qendërmbrojtësi Vladimir Otasheviç, të cilët do të testohen nga trajneri Cungu

Gaspër Marku

Kjo javë ka nisur me lëvizje për kuqeblutë. Siç u paralajmërua, kanë filluar të vijnë futbollistët e parë për provë. Stafi i Vlalznisë po bën përpjekjet e duhura për të zbatuar detyrat e dhëna nga kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila në takimin e fundit u ka kërkuar drejtuesve të përshpejtojnë në plotësimin e ekipit. Kjo gjë po pasqyrohet me prurjet e para në skuadër, por edhe me rinovimin zyrtar të Kalasë. Kanë nisur provën Alban Ramadani, një kosovar i aktivizuar në Zvicër e Itali, që luan si mesfushor shkatërruese, por edhe një portier malazez e një mbrojtës serb. Ramadani nuk u pa dje në stërvitje, pasi është larguar për arsye personale drejt Zvicrës dhe pritet të rikthehet për të vijuar provën. Në seancën e djeshme në Shkodër ishin dy futbollistë të tjerë, të cilët mund të zëvendësojnë malazezët Jasmin Agoviç dhe Stefan Cicmil.

PORTIERI ZOGOVIÇ – Për të zëvendësuar Agoviçin është menduar për një tjetër malazez. Dhe ai është Bojan Zogoviç, 28 vjeç, i gjatë 1.92 m. Një portjer i lindur në Berane, ku Vllaznia ka kryer fazën përgatitore sezonin e kaluar. Skuadra e fundit, ku është aktivizuar, është Radniçki, ndërkohë që gjatë karrierës së tij ka mbrojtur portën e Novi Pazarit, Metalacit, Rijekës etj. Zogoviç është vënë menjëherë në dispozicion të trajnerit të portierëve, Avernir Dani, i cili është parë të punojë gjatë të gjithë kohës me të dhe portierët e tjerë Selimaj dhe Sherri. Më pas, kur grupi tjetër ka përfunduar me ushtrimet me topin, Zogoviç është vendosur në njërën nga portat e formacionit, duke konsumuar disa minuta lojë, që tekniku Cungu e zhvillon në fundin e stërvitjes.

MBROJTËSI OTASHEVIÇ – Futbollisti tjetër i paraqitur në stërvitjen e djeshme është qendërmbrojtësi Vladimir Otasheviç. Nga të dhënat që jepen për të, mësohet se është 31 vjeç, i gjatë 1.90 m dhe me një karrierë të pasur sportive. Vitet më të shumta i ka kaluar pranë ekipit Metalac, Gornji Milanovac, por edhe me skuadra të tjera. Otasheviç ka punuar së bashku me grupin kuqeblu, fillimisht me ushtrime atletike, më pas lojëra në kuadrat dhe së fundmi edhe lojë mes formacioneve. Stafi dhe specialistët e pranishëm ishin të vëmendshëm në përcaktimin e vlerave të këtyre lojtarëve. Stafi teknik bënë të ditur për “Sport Ekspres” se ata do të vijojnë të jenë në stërvitje dhe më pas do të pritet vendimi i teknikut Cungu dhe kolegëve të tij, për t’i mbajtur apo jo në skuadër.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.