Largohet Deliaj, Doka nuk del në stërvitje

Vlonjati do të shkojë te Korabi. Çeliku do të ikë nga ekipi për një skuadër tjetër shqiptare

Olsi Avdiaj

Fioralb Deliaj largohet nga Tirana. Mesfushori bardheblu ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me ekipin bardheblu, duke kërkuar fatin diku tjetër. Mësohet se futbollisti ka zhvilluar një takim me trajnerin e skuadrës, Ze Maria ku i ka kërkuar të dijë nëse do të ishte në planet e tij për të qenë titullar. Trajneri nuk i ka garantuar asgjë dhe në këto kushte lojtari ka vendosur që të largohet. Ai ka diskutuar me presidentin e ekipit Refik Halili dhe bashkërisht palët kanë rënë dakord që futbollisti të largohet nga klubi, duke prishur edhe kontratën. Mësohet se Deliaj këtë sezon do të luajë në Kategorinë e Parë, por me ekipin e Korabit. Në këtë skuadër më parë ka kaluar edhe Majkëll Peçi, një ish-bardheblu. Deliaj ka një sezon që qëndron në stol edhe pse mendohej se mund të ishte titullar këtë kampionat në Kategorinë e Parë. Në fakt, lojtari largohet nga Tirana, sepse i garantojnë të qenit titullar te Korabi.

Nga ana tjetër, dje në stërvitjen e Tiranës ra në sy mungesa e Albi Dokës. Futbollisti zyrtarisht nga klubi është lënë pushim për një shqetësim që ka pasur, por jo zyrtarisht fjalët janë nga më të ndryshmet. Edhe pse nuk ka asgjë të sigurt, lojtari mund të jetë drejtuar për provë edhe në ndonjë skuadër të huaj, por gjithçka mbetet e fshehtë. Mësohet se lojtari prej kohësh ka shumë oferta dhe nga momenti në moment, ai mund të largohet në një skuadër më të mirë sesa bardheblutë. Nuk përjashtohet mundësia që Albi Doka kalojë edhe në ndonjë ekip të Kategorisë Superiore. Ofertat nga jashtë kanë qenë pa fund për Dokën, duke filluar nga Makabi Tel-Aviv e deri tek skuadrat kroate.

Rei Çeliku është një tjetër futbollist që mund të largohet nga radhët e bardhebluve. Edhe pse nuk vendosur ende, gjasat janë që djaloshi i ri që luan në sulm të gjejë një ekip në Kategorinë e Parë për të luajtur titullar këtë sezon. Veç Çelikut, nga lojtarët e rinj është larguar edhe Elvi Berisha që u shit për 90 mijë euro në Spanjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *