Kushta tregon formulën e suksesit: Hidhen lekë për lloj lloj ngjyrash, vë bast që me akademinë kthehen

Sokol Kushta është i ftuar te “Procesi Sportiv”, atje ku po flet për gjendjen e Flamurtarit. Legjenda e vlonjatëve dhe futbollit shqiptar ka kritikuar disa zgjedhje të Sinan Idrizit. Sidomos kur flitet për trajnerin e ri, Marcelo Troisi. Theksi vendoset se te klubi ka një problem të madh me menaxhimin, pavarësisht miqësisë që ka me administratorin Idrizi.

“Gazetat shiten dhe Sinan Idrizi është burim i informacionit tani. Flamurtari nuk është mirë dhe këtë situatë e kanë kaluar shumë ekipe të tjera, por këtu është më e rëndë. Unë them që Sinani ka një problem të menaxhimit, pavarësisht se e kam mik, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet kritikuar. Berluskoni iku dhe Milani nuk vdiq, përkundrazi, erdhën sponsorët. Po bëhen shumë gabime, teksa vazhdon të blejë lojtar, kur nuk bën ende pagesat. Këto janë bërë pa pyetur njeri. Në gjuhën tonë thuhet që Idrizi kroson dhe e bën gol vetë. Pastaj ky trajneri që ka marrë vetëm trajner që nuk është, si menaxher po që është i mirë.

Shikoni, duhet të investohet te futbolli i moshave. Ato lekët që investohen te lloj lloj ngjyrash të hidheshin tek të rinjtë, unë vë bast që do të kthehej investimi. Flamurtari, Vllaznia dhe Besa kanë prodhuar gjithmonë futbollistë. Tani kemi Flamurtarin që nuk ka asnjë vlonjatë në skuadër. Vë bast që nëse investohet tek të rinjtë do të ketë sukses”, tha Kushta. /Sport Ekspres/