Këshilla e Ernest Gjokës për Tiranën: Kampion nuk dilet në shtator dhe në tetor, të mbrohet ekipi

Trajneri i njohur në Shqipëri, Ernest Gjoka, ka folur më tepër në detaje rreth kampionatit shqiptar në këto 4 javët e para. Duke u ndalur te Tirana që po kryeson kampionatin shqiptar, ka edhe një këshillë për bardheblutë.

Sipas Gjokës, skuadra kryeqytetase duhet të bëj shumë kujdes me momentet e vështira që do t’i ndodhin gjatë rrugës së vazhdimit të kampionatit. Sigurisht që kampion nuk mund të shpallesh në shtator apo në tetor, por deri tani ambienti te Tirana po tregon se është ekipi më i mirë i Superiores, me renditjen që është dëshmia më e madhe.

“Kampion nuk dilet as në shtator as në tetor. Duhet të dish sesi të përballosh momentet e vështira. Optimizmi është maksimal për momentin, por në situatat e vështira duhet të jenë të gjithë bashkë kur të vijnë ato momente. Stafi, presidenti, tifozët duhet të mbrojnë ekipin. Padyshim që është e bukura e Superiores deri tani. Ka gjithçka për të luftuar me stofin e kampionit. Halili po bëhet një lojtar kyç i Tiranës. Po mban presionin e madh si djali i presidentit dhe që klubi ka shumë lojtarë të tjerë në rolin e tij. Është duke justifikuar veten dhe lojtari i momentit te Tirana”, ka thënë Gjoka. /Sport Ekspres/