Kastrioti nuk ndalet, Ribaj goditja e merkatos

Bujar Balliu

Kastrioti është duke bërë gati dy goditjet e fundit në merkato, për të menduar më pas për Kupën e Shqipërisë dhe sezonin e ri futbollistik që starton më 16 shtator sipas kalendarit të përcaktuar në muajin gusht. Burime pranë skuadrës së Kastriotit, bëjnë me dije se pasi kanë rënë dakord parimisht me mesfushorin me tipare sulmuese Enriko Papa, i cili edhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje gjatë ditës së shtunë, po tentojnë të afrojnë një tjetër futbollist cilësor në skuadër.

Ai është 27-vjeçari fierak Andi Ribaj, i cili ka një karrierë të pasur, brenda dhe jashtë vendit me skuadra të njohura. Ish-sulmuesi i Apolonisë, Skënderbeut dhe së fundmi Teutës, prej ditësh mësohet se ka nisur bisedimet me drejtuesit e skuadrës krutane, por detajet e bisedimeve dhe në çfarë faze janë ata ende nuk dihen, por pritet që të mësohen gjatë ditës së sotme. Natyrisht, që pas Papës, afrimi i një lojtari me kualitet si Ribaj, i cili luan në disa role, e rrit shumë forcën goditëse dhe ofensivën e skuadrës së Kastriotit, aty ku në miqësoret e zhvilluara deri më tani ka spikatur si shënues nigeriani Kabiru, i cili ka qenë edhe sezonin e shkuar pjesë e Kastriotit. Krutanët janë shfaqur mjaft aktiv në merkaton e deritanishme, duke afruar lojtarë të njohur dhe me kualitete. Drejtuesit e Kastriotit kanë vetëm një synim këtë sezon, ta rikthejnë skuadrën në Superiore.

PËRGATITJET – Krutanët duke filluar nga dita e sotme, seancat stërvitore do t’i zhvillojnë tek kompleksi i ekipeve kombëtare në Kamzë, aty ku kryejnë stërvitje disa nga ekipet e Superiores. Sakaq, pas miqësores me Dinamon, krutanët kanë programuar testin e fundit miqësor përpara fillimit të ndeshjeve zyrtare. Kështu, ditën e mërkurë skuadra e Nikajt do të përballet me Turbinën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *