Bylisi vijon projektin, rikthen talentin Murataj

0

Erjon Saliu

Bylisi këtë sezon po ndjek një projekt që deri më tani po rezulton me të vërtetë shumë efikas. Presidenca, pa nisur sezonin e kishte në kokë punën me skuadrën. Familja Kapllanaj që tashmë është pronare e klubit ballshiot, prej më shumë se 13 sezoneve, duket se ka menduar që të afrojë lojtarë të talentuar, për t’i afirmuar edhe për t’i shitur ata në klube të njohura të vendit dhe jashtë. Bylisi ka rikthyer pesë të huazuar, të cilët kanë qenë titullarë në Kategorinë e Parë sezonin e shkuar. Fjala është për Buzin e Dhramin që kanë qenë titullarë te Sopoti, apo Hysko te Dinamo. Pa harruar edhe Kleo Fejzajn te Tepelena e Niko Zisi që pritet të shpërthejë në Ballsh, pas huazimit për 6 muaj në Elbasan.

MURATAJ – Në sezonin 2013-2014, në ndeshjen e Kupës me Dinamon, Bylisi aktivizon një talent, pa mbushur të 16-tat, Valentino Murataj, i cili stërvitej me ekipin e parë, por luante me moshat. Murataj shënon gol në debutim. Dha sinjale se është një lojtar me të ardhme. Për shkak të shkollës shkëputet nga Ballshi dhe në Tiranë luan me Dinamon. Dy sezone larg “familjes” ballshiote dhe të shtunën është rikthyer dhe ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, për t’u bërë edhe ai pjesë e projektit të Bylisit.

“Jam rikthyer në Ballsh dhe falënderoj presidentin Besnik Kapllanaj, i cili më ka mbështetur shumë qysh pa mbushur 16 vjeç duke besuar dhe më aktivizoi në Kupë me ekipin e parë. Më kontaktoi sërish, më tregoi për projektin që ka dhe nuk u mendova dy herë për Bylisin. Ballshi dhe Mallakastra është shtëpia ime. Do të jap shpirtin në fushë për Bylisin. E kam ndjekur edhe pse kam qenë larg fizikisht, por kam qenë tifoz me këtë skuadër ku shpresoj të jap më të mirën time. Jam i bindur se projekti do të jetë me të vërtetë deçiziv për Bylisin dhe ne lojtarët e rinj. Në Ballsh, lojtarët e rinj aktivizohen dhe më pas shkojnë në skuadra të njohura.  Tashmë do të kap formën time më të mirë dhe do të jap shpirtin në fushë për Bylisin, pasi sot në skuadrën e parë janë edhe shumë bashkëmoshatarë të mij që kemi luajtur te moshat e Bylisit”, – përfundoi Valentino Murataj, talenti 21-vjeçar i afruar së fundmi te Bylisi.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.