Rekordmeni i minutave është portieri Enea Koliçi, pas tij Guri, kurse shkodrani tjetër është aktivizuar më pak
Është luajtur faza e parë dhe skuadrat kanë nisur të kristalizojnë formacionet e tyre. Por Kukësi bën përjashtim në këtë pikë, pasi dëmtimet e shumta nuk e kanë lënë të qetë në asnjë javë. Vihet re se trajnerit Milinkoviç i është dashur të përdorë 17 lojtarë me minutazh të konsiderueshëm, minimalisht më shumë se dy ndeshje. Në vend të parë për minutazhin e aktivizimit është portieri Enea Koliçi, i cili ka luajtur 9 takime të plota, duke numëruar 810 minuta. Pas tij vjen Sindrit Guri, me 12 minuta më pak, ndërsa Kërkotiç ka 240 sekonda më pak se shkodrani. Në fundin e renditjes është Ndriçim Shtubina, i cili ka luajtur vetëm 192 minuta në 6 takime. Një vend më sipër ndodhet mesfushori Zeqiri, i cili ka luajtur 203 minuta në 4 ndeshje. Po ashtu, Shameti ka luajtur vetëm 3 ndeshje të plota, por gjirokastriti, ashtu si vlonjati, kanë vuajtur nga dëmtimet.
MOSHA – Kampionët sezonin shkuar kishin skuadrën me mesataren më të lartë të moshës. Edhe këtë edicion verilindorët janë të plakur, teksa mesatarja e ekipit është 27,6 vjeç. E nisën sezonin me synimin për të rritur lojtarë të rinj, por deri tani kanë aktivizuar vetëm një futbollist nën 24 vjeç. Në grup janë disa lojtarë të rinj, por vetëm Valon Ethemi ka bindur trajnerin Milinkoviç. Në krahun tjetër, janë 6 lojtarë mbi 30 vjeç, që kanë zbritur në fushë.