Kaloshi rinovon me Tomorin, sa shumë prapaskena!

Rinovimet kanë nisur te Tomori, ndërkohë që pritej prej një muaji që të rinovohej kontrata me portierin Mikel Kaloshi, i cili vetëm sot ka nënshkruar. Nuk mund të konsiderohet një afrim i ri, pasi lushnjari ishte edhe vjet pjesë e skuadrës.

Gjithsesi nga ana e stafit teknik ai nuk ka qenë i preferuar gjatë merkatos së kësaj vere, pasi i është besuar një portieri si Kadri Birja, aq shumë i kontestuar nga ana e sportdashësve beratas, të cilët kanë dalluar qartë disnivelin midis tij dhe portierit Kaloshi. Ky i fundit  tabinë ka sjellë garanci maksimale për portën e Tomorit.

Burime konfidenciale thonë për “Sport Ekspres” se portieri lushnjar ka pasur qejfmbetje me stafin teknik, që nuk e konsideroi si një portier titullar gjatë merkatos së kësaj vere. Për këtë ai desh t’i bashkohej skuadrës së Kamzës, që kërkonte portier.

Por në mënyrë të papritur i është bërë një ftesë nga klubi beratas. Kaloshi nuk mund të pranonte të ishte portier i dytë te Kamza, edhe pse në Superiore, dhe këtë e ka shfrytëzuar Tomori. Paraqitja e dobët me Partizanin në miqësoren e fundit, duket se e ka bërë akoma më shumë të nevojshëm rikthimin e Kaloshit te Tomori. Kështu ka ndodhur…

EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *