Jo vetëm Shehaj, edhe dy vlonjatë divorcohen me Flamurtarin

Nuk ka të ndalur revolucioni te Flamurtari dhe nuk është një ndryshim thjesht për faktin se duhet ndërtuar një skuadër më cilësore. Nëse do të ishte kështu, mriz se të vinte, secili ka idetë e tij, përtej faktit se skuadra që ndërtohet nga e para çdo vit zor se ka sukses. Lajmi i fundit nga Vlora është një befasi më vete, sepse praktikisht nga klubi kuqezi po largohen gjithë lojtarët vendas.

Argent Halili, Taulant Kuqi dhe Ardit Shehaj nuk janë më pjesë e ekipit vlonjat,ndërsa kanë mbyllur gjithçka me konsensus me drejtuesit e Flamurtarit.  Të tre lojtarët janë takuar me drejtues të Flamurtarit, ndërsa  futbollistët nuk bënin pjesë në Flamurtarin e sezonit të ardhshëm.

Ka mjaftuar një takim i zhvilluar në ambientet e klubit kuqezi që lojtarët të gjenin gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit,ndërsa lojtarë kanë qenë në listën e largimeve nga Flamurtari. Mësohet se lojtarëve u është komunikuar se nuk janë në planet e trajnerit për sezonin e ardhshëm, ndaj edhe është biseduar me drejtuesit për të gjetur një gjuhë të përbashkët rreth mbylljes së kontratës që I lidhte me kuqezinjtë.

Halili,Kuqi dhe Shehaj nuk janë të vetmit që largohen nga Vlora,ndërsa më parë  kanë kryer të njëjtin veprim edhe lojtarë si Shkodra, Telushi, Rniç, Galiç, Radoviç, Fazlliu,Berisha, Frashëri, Beqaj, Xhuriç, Mauricio Leal, Lineker, por dhe Danilo Alvesh, i cili për “Sport Ekspres” ka zyrtarizuar se nuk ka ndërmend të kthehet dhe do ta paditë Flamurtarin në FIFA për pagat e prapambetura.

Pikërisht pagat janë “molla e sherrit” dhe arsyeja pse po largohen edhe shumë lojtarë që në teori duhej të qëndronin, sepse Halilaj, për shembull, vjen nga një sezon shumë pozitiv dhe trajneri Shpëtim Duro nuk e kishte jashtë planeve të tij, ndryshe nga sa u është komunikuar Halilajt dhe të tjerëve.

Shumica e lojtarëve do të sistemohen shpejt, janë të kërkuar në treg, por Halilaj shpresonte ta mbyllte karrierën në shtëpi, ndërsa drejtuesit e Flamurtarit, ose më saktë Sinan Idrizi, meqë është vetë zot e vetë shkop, mund të tregonte pak më shumë respekt për ushtarin besnik të Flamurtarit, Taulant Kuqin, i cili gjithë jetën e vet e ka lidhur me fanellën kuqezi. Nga vlonjatët, duke përjashtuar të rinjtë, mbetet vetëm Franc Veliu: a do të mbijetojë dot?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *