Grezda është me fat, veterani Miller: Ajo që më ndodhi te Rangers, nuk ia uroj as armikut

Kenny Miller është rrëfyer mbi trajtimin aspak të duhur sipas tij, që klubi i Rangers i ka bërë në sezonin e fundit të tij te ekipi nga Glasgow. Madje vetë futbollisti e quan këtë mënyrë sjellje të turpshme dhe të pafalshme, duke konsideruar edhe vitet që ai ka qenë pjesë e skuadrës. “Atë që më ndodhi mua, nuk ia uroj as armikut tim. Ishte e turpshme dhe e pafalshme mënyra sesi u trajtova. Prisja një tjetër fund nga ekipi im i zemrës”, thotë mes të tjerash Miller.

Edhe pse sulmuesi luante prej vitit 2000 me ekipin skocez, këta të fundit nuk u kursyen aspak me të, teksa e dënuan me gjobë dhe pezullim së bashku me Lee Wallace. Arsyeja ishte një konflikt i ndodhur në vitin 2018 në dhomat e zhveshjes mes futbollistëve në fjalë dhe trajnerit të përkohshëm të asaj kohe, Greame Murty, i cili tashmë drejton të rinjtë e klubit të Rangersit, ku luan edhe Eros Grezda.

Pra, ekipi skocez vendosi me dorë të hekurt dhe tregoi se nuk toleron askënd, pavarësisht rëndësisë që mund të ketë në klub. Kjo duhet t’i shërbejë edhe si një mësim sulmuesit shqiptar, Eros Grezda, që pak kohë më parë rrezikoi edhe largimin nga Rangers pas gjestit të pështyrjes së kundërshtarit në fushën e lojës. Nuk dihet çfarë e bindi klubin që të ndryshonte mendim, por Grezda mund ta konsiderojë veten me fat që vazhdon të jetë ende në Ibrox, pasi skocezët e kanë treguar më parë me Miller se dinë të jenë të pamëshirshëm edhe nëse je një pjesë e rëndësishmë e ekipit. /Sport Ekspres/