Gjonaj: Egnatia s’fitoi, por nuk dorëzohet

Me keqardhje e ka pritur tekniku matjan i Egnatias, Vladimir Gjonaj barazimin që skuadra e tij mori në ndeshjen e së shtunës në Rrogozhinë ndaj Tërbunit. Trajneri që ka drejtuar suksesshëm Egnatian si në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar ku në Kategorinë e Dytë e shpalli Egnatian kampione, po dhe tani në fazën e parë të këtij sezoni në kategorinë e parë e ka renditur futbollin rrogozhinas në vendin e 3-të, e thotë “troç”. “Ne nuk fituam, por nuk është e thënë se do të dorëzohemi. Nga mbyllja e fazës së parë te nisja e fazës së dytë na ndajnë vetëm pak ditë, nënvizon tekniku. Kemi tërë kohën e duhur të rikuperojmë të metat e dobësitë, kryesisht në finalizim. Të gjithë e panë që na mungoi vetëm goli pasi epërsia që patëm ndaj pukjanëve ishte e madhe. Sigurisht edhe kur ndodh kështu, nuk ka asnjë arsye të dekurajohemi, edhe pse ka sigurisht arsye për t’u mërzitemi, pasi u bënë disa ndeshje radhazi që nuk po arrijmë të fitojmë në fushën tonë”, u shpreh jo pa shqetësim tekniku Gjonaj.

Ky i fundit ka shtuar se është një tip trajneri, që edhe tani që kryen këtë detyë, por edhe kur ka qenë për vite me radhë futbollist, asnjëherë nuk është trembur e dorëzuar para vështirësive. “Ne do të vijojmë punën, koha do të na japë të drejtë e do të na nderojë që pikë të lëna në mënyrë të pavullnetshme si në takimet me Korabin, Erzenin e Tërbunin nga barazimet dhe ndaj Besëlidhjes që kemi humbur në shtëpi, janë kompensuar më së miri me ato fitore po aq të çmuara e të merituara që kemi marrë në transfertat ndaj Dinamos, Besës e Burrelit. Që tani po mendojmë për sfidën ndaj Vllaznisë “B” ku do të jetë dhe momenti që skuadra të bëjë autokritikën e duhur dhe t’i rikthehet fitoreve të cilat kështu si kanë ardhur punët në transfertë kanë qenë një mision më i mundshëm se sa në fushën tonë”, vazhdoi trajneri i Egnatias. Gjonaj në përfundim saktëson se ai dhe skuadra kanë respektuar e do vlerësojnë maksimalisht verdiktet që ka prodhuar fusha e lojës javë pas jave.

Fatmir Efica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *