Gjilani e nisi me 9 lojtarë që kanë qenë në Superiore, derbin e vendosi Ardian Cuculi

Derbi i zjarrtë mes Gjilanit dhe Dritës i luajtur në një stadium të tejmbushur, është mbyllur me rezultatin 0-1. Trajneri Gentian Mezani kishte zgjedhur të luante me 9 ish-futbollistë të Superiores, ndërsa përjashtim bënte vetëm portieri me kapitenin Ramadani.

Faktikisht Gjilani ishte ekipi që bëri lojën dhe dominoi takimin, megjithëse Drita mori tre pikët e derbit. Një moment që e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë mbrojtësi Ardian Cuculi, që u largua këtë verë te Drita, pasi më parë ishte pjesë e Kukësit.

Pas një harkimi nga goditja e këndit, mbrojtësi i miqëve tundi rrjetë, megjithëse kishte shumë protesta nga Gjilani për një faull në zonë. Kjo është humbja e dytë në një ndeshje të madhe për Mezanin, pasi humbi me rezultatin 2-1 në transfertë ndaj Prishtinës, vetëm në minutat e fundit. Ndërkohë në total janë tre humbjet, së bashku me atë ndaj Trepçës në javën e parë të kampionatit. /Sport Ekspres/