Gega: Prognin e kishim në plane, ja pse nuk kanë ardhur ato lojtarë që doja

0

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka folur në konferencën për shtyp prag ndeshjes me Kastriotin.

Tekniku i “demave” nuk ka lënë jashtë vëmendjes dhe merkaton, por dhe mosprezencën e tifozëve në ndeshjen e nesërme.

Takimi i radhës ndaj Kastriotit, sa të vështirë e shikoni këtë takim, duke qenë se nuk e njihni shumë kundërshtarin?

Jam mundur që t’i ndjek të dyja ndeshjet që ka luajtur. Në Gjirokastër morën një trepikësh të rëndësishëm, si dhe bënë një paraqitje të mirë. Po ashtu e kemi parë dhe ndeshjen me Skënderbeun, ndërsa sot do të shohim një pjesë tjetër, më të detajuar. Nga eksperienca mund të them se nuk duhet vënë në dyshim, apo të paragjykohet nga ka ardhur apo historia e saj. Duhet ta vlerësojmë në maksimum kundërshtarin sepse është një 3-pikësh që na jep optimizëm dhe qetësi më të madhe.

A jeni i kënaqur me lojën e ekipit?

Loja ishte e ndarë në dy pjesë. Ndodh që pjesët janë të ndryshme me pamje të ndryshme. Në pjesën e parë nuk ishte ajo që unë prije apo ajo që ne kishim përgatitur. E thash dhe pas ndeshjes, Kamza meritoi respekt për atë që dha. Në pjesën e dytë treguam se nuk kishim probleme fizike. Në pjesën e dytë bëmë ndryshimet e duhura dhe dominuan. Mund të them se mund të kishim marrë një rezultat dhe më të thellë. Ende nuk është perfomanca që unë pres, pasi në stërvitje ka një ecuri shumë të mirë. Nuk kemi pasur dëmtime. Besoj se çdo javë do rritemi dhe do afrohemi tek përsosmëria që ne kërkojmë.

Sa do ndihet largimi i Prognit?

Po, është larguar dje. Progni ka qenë pjesë e Partizanit që vjet dhe për sa kohë kam qenë unë këtu e kam mbështetu, pasi e ka merituar për t’u mbështetur. Në planet tona janë 25 lojtarë dhe atë pjesë që ai ka mbuluar ta zëvendësojmë.

Ishte dëshira e lojtarit apo kishte diçka tjetër?

Klubi e kishte në plane, siç e kisha dhe unë. Donte një sfidë të re, donte më shumë hapësira ndoshta. Në futboll trajnerët dhe lojtarët lëvizin. Ai është aktivizuar në çdo ndeshje. Nuk kam asgjë, pasi nuk ka prapaskena. Ai donte një sfidë të re dhe ndoshta ai ndihet më mirë atje. Unë dje e kam mësuar. Ai erdhi në stërvitje, u përshëndet me ne dhe unë i uroj vetëm suksese.

Jemi në fund të merkatos dhe ju keni kërkua afrime, por a ju vjen keq që nuk u afruan dot disa nga ato lojtarë që ju keni dëshiruar?

E kam thënë gjithnjë dhe nuk mund të them diçka ndryshe. Është një klub që ka mundësitë e veta. Lojtarët që unë kam propozuar kanë pasur kërkesa financiare shumë të mëdha seç klubi i përballon. Një pjesë tjetër kanë marrë oferta të tjera. 2-3 lojtarë që unë kam kërkuar kanë ikur në liga shumë të mira. Deri në momentin e fundit mund të ketë ndonjë lëvizje dhe klubi punon.

Ju vjen mirë apo keq që i vjen fundi merkatos?

Më vjen mirë, pasi është një presion për grupin që ne kemi. Unë e kam thënë gjithnjë që kur ka ardhur se këtë grup që kam do të marr përsipër të marr 100%. Po e japin në stërvitje dhe gradualisht do të arrijnë aty ku duam dhe në lojë. Nëse dikush do të vinte të bënte diferencën do ishte ndihmë, por ky është realiteti.

Mungesa e golit duket se mbetet problem…

Çdo vit ka një fytyrë të re. Progni ishte shënues, por kemi marrë Mensah dhe Hebaj. Do punojmë në stërvitje që ky problem të korrigjohet. Liga jonë nuk ka shumë gola. Jo vetëm ne na mungon një golashënues, apo një finalizues tipik. Mua më intereson që skuadra të funksionojë në grup. Me Kamzën patëm dy raste një për një.

A jeni i kënaqur me merkaton deri më tani?

Mund të punosh me lojtarët e rinj dhe jam i kënaqur. Do kisha dëshirë të kisha të tjerë lojtarë, por vulos klubi. Kërkesat e çdo sportisti janë tjetër gjë, çka ka qenë thelbësore pse nuk janë arritur marrëveshjet.

A do kemi ndryshime në formacion?

Nuk ka ndryshime drastike. Do punojmë deri nesër. Ka lojtarë që si zëvendësues bëjnë shumë mirë. Nuk kemi vendosur akoma. Sot është seanca e fundit. Do shpërngulemi në Elbasan, pasi atje do jemi më qetë dhe do kemi një fushë me bar.

Tifozët…

Partizani ka një armë të fortë tifozët., nëse do ishin ata do kishim një forcë shumë të madhe. Në futboll nuk mund të luash ftohtë dhe mbështetje. Do ishte e rëndësishme që tifogrupi “Guerils” të ishte, pasi na kanë ndjekur dhe jashtë vendit. Uroj që të kthehen sa më parë. Në pjesën më të madhe të Europës ka trazira. Besoj se dënimet kolektive janë të dëmshme. Siç e kam thënë Partizani veç ”Guerilsave” kemi të panumërt tifozë që duan ta ndjekin nga afër ekipin. Duhet të përcjellim një mesazh brenda fushe, Sporti lidh njerëzit , por dhe që ndan.

Sa i druheni kundërshtarit?

Besoj se çdo ekip ka një strategji dhe një filozofi. Një ekip që vjen në Tiranë mund të presin pas, por dhe të kenë një kundërsulm të frikshëm. Uroj ta zgjidhim shpejt me një gol dhe të jemi të kujdesshëm deri në fund.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.