Futbolli “i memeve”/ Mustafi: Njëherë më kritikuan për një humbje, nuk kisha luajtur fare

Futbolli modern dhe që po përjetojmë aktualisht, ka shumë ndryshime nga ai i viteve më parë. Për këtë nuk ka asnjë dyshim dhe sigurisht që këtu ka anë pozitive dhe negative. Lojtarët e kanë më të lehtë që të bëjnë transferime, ndryshe nga më parë.

Madje shpeshherë skuadrat transferojnë futbollistë dhe duke u bazuar nga videot e tyre në “Youtube”. Ndërsa në krahun tjetër, një gabim i bërë dhe tendenca e faqeve të njohura për t’u kthyer në meme humoristike, mund të shkatërrojnë një karrierë.

Në rastin e fundit përfshihet edhe Shkodran Mustafi. Në kohën kur luante te Valencia, të gjithë ishin pas këtij mbrojtësi dhe e konsideronin si të jashtëzakonshëm. Vjen te Arsenali, bën më të mirën në vitet e para derisa çalon me disa takimeve jo të duhura.

Gabimet e tij do të kritikoheshin rëndë në rrjetet sociale, ndërsa tashmë është kthyer në zakon që një gabim i këtij mbrojtësi, të kthehet në temë diskutimi dhe të gjithë njerëzit të komentojnë rreth kësaj çështje, pa marrë parasysh ndeshjen në tërësi.

Madje vetë Mustafi me intervistën e fundit, pohon se njëherë ishte kritikuar rëndë nga tifozët e Arsenalit për një humbje, në një takim që nuk kishte luajtur fare.

“Në dy vitet e para pas transferimit tim në Arsenal në 2016, gjërat shkuan shumë mirë për mua. E pashë veten në nivelet më të larta. Por menjëherë pas Krishtlindjeve në 2018, pati një ngërç. Kam bërë disa gabime dhe ato shkaktuan një kaos që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë. Pastaj kam marrë shumë komente negative nga tifozët e Arsenalit në Instagram dhe Tëitter, dhe artikuj janë shkruar në të cilat u kritikova ashpër.

Jam bërë shënjestër e kritikave. Në një pike madje, njerëzit madje më fajësuan për një humbje në të cilën unë nuk kisha luajtur fare”, ka thënë Mustafi. /Sport Ekspres/