FSHF alarmohet për ngjarjen e Shkodrës dhe kontakton me policinë

0

Ngjarja e frikshme e Shkodrës, ku u sulmua pasditen e sotme trajneri i Vllaznisë Ernest Gjoka, ka shqetësuar jo pak edhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Ajo që ndodhi sot ka rikthyer në mendje vite të errëta të shekullit të shkuar, kur trajnerë, futbollistë, presidentë klubesh e arbitra ishin nën presion të vazhdueshëm, kërcënime, sulme fizike e deri në vrasje.

Tani FSHF del me një deklaratë për shtyp ku dënon rëndë ngjarjen e Shkodrës, i shpreh solidaritetin trajnerit Gjoka dhe ndërkohë presidenti Armand Duka ka kontaktuar edhe me autoritetet më të larta të policisë së shtetit, për të kërkuar zbardhje të ngjarjes dhe masa që diçka e tillë të parandalohet në të ardhmen.

DEKLARATA

FSHF DËNON ME FORCË AGRESIONIN MBI TRAJNERIN E VLLAZNISË! PRESIDENTI DUKA TELEFONON

“FSHF dënon me forcë veprimin më të fundit ndodhur sot me trajnerin e klubit të futbollit Vllaznia, Ernest Gjoka ku një person ka tentuar të godasë me thikë trajnerin pas përfundimit të stërvitjes.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka sapo është informuar për këtë ngjarje ka telefonuar menjëherë trajnerin Ernest Gjoka për t’u interesuar në lidhje me gjithçka ka ndodhur. Kreu i FSHF i ka garantuar teknikut angazhimin e tij maksimal në zbardhjen e plotë të këtij akti. Z.Duka ka marrë kontakt më pas edhe me autoritetet policore për çështjen në fjalë.

Të tilla ngjarje janë tërësisht një anë shumë e shëmtuar, që nuk i përkasin aspak futbollit, lojës tonë, dhe dënohen maksimalisht nga opinioni sportiv dhe jo vetëm. Një ngjarje e tillë duhet të rrisë akoma më shumë ndërgjegjësimin qytetar për të luftuar të tilla fenomene.

Trajnerët tanë profesionistë duhet të punojnë të qetë dhe jashtë trysnisë psikologjike, apo akoma më tej të gjendur të kërcënuar nga situata të tilla me rrezikshmëri të lartë.

FSHF inkurajon trajnerin e Vllaznisë Gjoka dhe të gjithë klasën e trajnerëve që të vazhdojnë të ushtrojnë pasionin dhe misionin e tyre, trajnimin në futboll.

Asnjë motiv, rrethanë apo arsye nuk legjitimon kurrsesi humbjen e kontrollit total dhe ndërmarrjen e veprimeve agresive karshi njerëzve që punojnë çdo ditë dhe angazhohen shpirtërisht me futbollin dhe garën.

Le të shërbejë kjo ngjarje, fatmirësisht e mbyllur pa ndonjë komplikacion shëndetësor për trajnerin Gjoka, për t’i paraprirë një disipline dhe rregulli akoma më të lartë nga klubet, në vendet kryesisht ku skuadrat kryejnë stërvitjet ditore. Por mbi të gjitha t’i bëjë apel ndërgjegjes qytetare për t’i thënë STOP episodeve të tilla agresive”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here