Faleminderit kampion, tani presim golat kuqezi!

0

Prishtinë, 1994. Vite të vështira për trojet brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë, por kjo nuk i ndalonte këto troje, të vazhdonin të sillnin në jetë brezin e artë, atë brez i cili do t’i minimizonte në maksimum dallimet e Shqipërisë me Europën. Ky vit do të ishte dhe koha kur do të lindte një xhevahir i futbollit shqiptar, me një mision jo pak të rëndësishëm për të përmbushur. Pas kampionatit duke përfaqësuar Prishtinën, ekipin e tij të vendlindjes, dhe një prove të humbur tek gjigantët e Borusia Dortmundit, klubi kampion i Shqipërisë asokohe, Skënderbeu, do të ishte mëse i lumtur dhe i privilegjuar të kishte në organikën e ekipit një lojtar si Latifi.

Me shpresën se kishin marrë një talent, ndoshta nga më mirët të dalë nga shqiptarët e Kosovës, Liridoni nuk do të zhgënjente dhe do të bind te shpejt drejtuesit se kanë bërë lëvizjen e duhur. Saktësi, driblime, shpejtësi e goditje, Latifi ishte më tepër se i kompletuar për të veshur fanellën e një ekipi kampion të Shqipërisë. Shumë shpejt do të konfirmohej e rinkonfirmohej me këtë klub, ndërsa sukseset nuk kishin të ndalur. Një sezon i parë i mrekullueshëm me Skënderbeun ku i ardhur në gjysmë të sezonit, arriti të shënonte 5 gola në 14 ndeshje të luajtura. Pra, në titullin kampion të atij viti, nuk mund të mohohet dhe ndihma e “dorës” së Liridonit në ngritjen e tij.  Edhe pse nuk mundi dot të luante për gjigantët gjermanë të Dortmundit, nuk do të ishte e vonë koha kur do të arrinte një nivel përfaqësimi të jashtëzakonshëm në arenën evropiane, për një sezon të vetëm. Skënderbeu do të rishkruante historinë e futbollit shqiptar në sezonin 2015/2016, teksa për herë të parë në histori një klub shqiptar merr pjesë në një arenë europiane, Europa League. Në atë sezon edhe Dortmundi ndodhej në shortin e Europa Leagues. Sigurisht vazhdimësia e klubeve në fjalë më pas nuk do të ishte e njëjtë, normalisht nuk kishte sesi të ishte e tillë për vet faktin duke krahasuar buxhetet e tyre. Shumë shpejt në dyert e klubit nga Korça do të trokisnin menaxher të shumë klubeve të interesuara për shërbimet e djaloshit nga Kosova, por në fund ai vazhdoi të ngeli besnik i ngjyrave të Skënderbeut.

Kjo është historia e një djali kokulur, punëtor, me vullnet e besim të hekurt në vete teksa nga kombëtarja e Shqipërisë filluan firot e shumta të trembur nga konkurrenca e durimi i humbur, edhe pse askush nuk e kishte marrë në konsideratë deri në atë moment, Latifi mbeti kuqezi, pa e vënë kurrë në dyshim se kujt ngjyrave u përkiste. Teksa kishte kaluar të gjitha moshat zinxhir të kombëtares sonë, ai nuk e braktisi shpejt luftën, edhe pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme në mosmarrjen e ftesës në kombëtaren A në ndeshjet kualifikuese, edhe pas mosgrumbullimit në europianin e Francës, qëndresa dhe puna e madhe e tij do të shpërbleheshin shpejt. Në projektin e ri të kombëtares kuqezi nisur me periudhën e fundit të epokës De Biazi, e vazhduar me erën e re Panuçi, kurrsesi një emër i tillë nuk mund të ngelej jashtë e mungonte asaj liste. Në ndeshjet ndaj Dinamo Zagrebit Latifi tregoi edhe njëherë se mund të shkëlqejë ndaj kujtdo dhe se jo më kot është lojtari i shitur më shtrenjtë në gjithë historinë e Superligës tonë, thuajse 1 milion euro. Duele pafund të fituara, driblime të panumërta të dala në krah, shqetësim konstant dhe një gol jetik, do të ishin historia më e mirë për ta mbyllur kështu me klubin e tij teksa dhe trajneri i gjigantëve të Ballkanit do i bënte përshtypje talenti i këtij djaloshi: “Duhet ta pranoj. Skëndërbeu nuk ishte fort i këndshëm me krahët e tij”.

Pushkash Akademi, klubi i sapongjitur në kampionatin hungarez pritet të jetë shpejt i njohur e dëgjuar në arenën ndërkombëtare. Me investime të mëdha e projekt serioz, ata e nisin punën duke mos iu ikur nga duart një mundësi e tillë. 1 milionët të cilat mbushin arkat e Skënderbeut mund të duken shumë për 1001 arsye, por në Hungari janë të bindur se kanë investuar në një bast të sigurt. Me lot në sy, kokëlart dhe krenar: mbyllje më të mirë se kjo me Skënderbeun realisht nuk kishte për Latifin. Një dashuri e madhe që, siç tha dhe vet lojtari, i dha e mori kaq shumë, por dhe dashurive më të ndjera u vjen koha e ndarjes. E kjo e Latifit ishte e ëndrrave më të bukura. Me shpresën se shumë shpejt do të shihet sërish në arenën ndërkombëtare, pse jo dhe në atë më të fortën Champions League, të gjithë jemi në pritje për të parë golin e parë të Liridon Latifit si kuqezi. Faleminderit kampion!

Dërguar në adresë të gazetës nga: Klaudio Ndreca

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image