Ekskluzive/ Rrëfimi i Grecës: Unë ëmbëlsirat dhe Progni me Red Bullat, te Tirana t’u japin këmbëve

Bedri Greca është duke kaluar një moment të artë te Gjilani. Me trajnerin Gentian Mezani është formuar një super skuadër, që me afrimet nga Superiorja, po luftojnë për titullin kampion në Kosovë dhe kanë fituar besimin e të gjithëve.

Skemat dhe loja është e rrjedhshme dhe pa kaluar kurrë një krizë rezultatesh, të paktën deri tani. Madje edhe ajo humbje e pësuar në derbi kundër Dritës ishte e rastësishme, pasi Gjilani kishte gjithë lojën në kontroll. “Sport EKspres” ka intervistuar Grecën, një prej lojtarëve më të rëndësishëm të këtij projekti. Sigurisht, nuk mund të linim pa pyetur edhe për ekipin ku ai ka qenë pjesë dikur, te Tirana.

Sezoni në Kosovë po shkon në mënyrën më të mirë edhe në aspektin personal. Sa e vështirë është për ty puna si sulmues nga niveli i mbrojtjes në Shqipëri dhe tani në Kosovë?

Po në Kosovë po ambientohemi shumë shpejt. Mendoj se niveli i kampionateve po shkon i njëjtë pasi Superiorja ka pësuar një rënie në këtë sezon.

Përse e gjykoni kështu kampionatin shqiptar?

Po sepse 3 ekipe janë në Shqipëri që kanë investuar shumë për të përballuar vitin. Të tjerat janë formuar në momentet e fundit dhe me lojtarë nën nivelin e Superiores.

Te Gjilani ka edhe një frymë grupi për t’u admiruar. Progni ka qenë ai që ka premtuar qerasje të shokëve me Red Bull pas çdo goli apo asisti. Këtë herë i pagove ti apo jo, pasi ke pasur edhe datëlindjen?

Është e vërtetë që ne jemi një grup i shkëqlyer. Ndryshe nga ekipet e tjera jemi të gjithë bashkë, si të huajt dhe shqiptarët. Kemi një harmoni për t’u admiruar. Progni do gjithmonë të qerasi, se i ka ngelur fiksim. Shënon dhe jep Red Bulla. Kurse unë ëmbëlsirat në mbrëmje para ndeshjes, të gjithë bashkë bëjmë një grup për t’u pasur zili nga të gjithë.

Për t’u ndalur pak te Mezani. Është një trajner që ka formulë suksesi kudo që shkon. Po stërvitesh me të, çfarë të veçante ka në konceptin e tij të futbollit?

Kam punuar me shumë trajnerët. Të gjithë kanë mënyrën e tyre për të punuar. Mezani është i veçantë sesi përgatit një ndeshje, të motivon dhe kështu ne japim më të mirën.

Kemi dëgjuar se ka edhe shumë zëra të ngritur në Kosovë, madje edhe duke përmendur braktisjen e kampionatit të paktën nga tre klube sa i përket vendimeve të arbitrave. Ju jeni prekur vetë nga ky fenomen me një incident së fundmi, çfarë po ndodh saktësisht?

Nuk e di fare, në incidentin e fundit ne kemi mbaruar ndeshjen si çdo takim, kemi bërë dush dhe jemi mbledhur si ekip në një restorant. Atje festojmë gjithmonë fitoret dhe vetëm kur jemi informuar pastaj për atë incidentin ndaj gjyqtarit.

Ndërkohë flasim pak për ndërrimin e ngjyrave. Nga bardheblu te i kuq, duhet të ketë qenë një arsye e fortë për këtë lëvizje apo jo?

Ngjyra nuk ka shumë rëndësi, emrat e ekipeve “PO”. Me të vërtet është e kuqe, por nuk quhet Partizani, por Gjilani. Për mua Tirana është ekipi më i madh shqiptar dhe do të mbetet ndër breza me radhë. Arsyet ska më rëndësi se përse jam larguar, jam këtu dhe po ndihem shumë mirë.

E kur ndalemi pak te Tirana. Gjithmonë e njëjta histori që vazhdon me dështimet në pikën kulminante. Sa shumë presion ka në atë skuadër që po e bllokon dhe për të arritur objektivin e titullit kampion?

Është për të ardhur vërtet keq. Ka gjithmonë investime të mëdha, por dështojnë. Kur je në atë ekip e kupton se ku ndodhesh dhe presioni sa vjen e shtohet në çdo ditë. Duhet të jesh shumë i fortë që ta përballosh atë fanellë, sepse rëndon shumë. Mendoj se aty marrin përsipër shumë gjëra, por bëjnë pak. Ka njerëz që me fjalë të ngrenë në qiell, por fjalët mbeten fjalë. Ka ardhur koha për vepra dhe t’i japin këmbëve. /Sport Ekspres/