Ekskluzive/ Kristal Abazaj e pranon: Dy oferta të mira, titulli kampion me Kukësin dhe çfarë të jetë e shkruar

Kristal Abazaj është rikthyer në qendër të vëmendjes pas një gjysmë sezoni shumë të mirë që ka kaluar te Kukësi. Një “rilindje” e këtij lojtari në Superiore pas një periudhe aspak të mirë që kaloi te Anderlehti dhe Osijeku.

Gjithsesi kjo i përket së kaluarës dhe interesi është zgjuar sërish për sulmuesin shqiptar. Në mediat e huaja raportuan se Abazajt i është thënë për t’u rikthyer në Belgjikë dhe për t’u larguar në një tjetër aventurë në janar, por dëshira e lojtarit ishte që të shpallej kampion me Kukësin dhe të respektonte marrëveshjen. Këtë gjë e pranon edhe në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”:

“Ka qenë një periudhë e vështirë për mua, pasi isha në gjendje jo të mirë. Tani te Kukësi kam gjetur veten në aspektin e karrierës dhe atë personal. Nëse një futbollist nuk luan, është një humbje e madhe për të. Nuk isha mirë as në aspektin psikologjik, pasi dihej situata. Megjithatë ka ndryshuar gjithçka dhe kërkojmë vazhdimësinë.

Është e vërtetë që kam pasur 2-3 oferta shumë të mira në Belgjikë dhe Europë. Sinqerisht nuk e di pasi janë njerëzit të tjerë që punojnë për këtë gjë. Le të ndodhë çfarë të jetë e shkruar. Dëshira është e madhe për të dalë kampion me Kukësin pasi e kemi kontigjetin. Asnjëherë nuk i dihet, kështu është merkato dhe shpresojmë për më të mirën”, ka thënë Abazaj. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *