Ekskluzive/ Bubeqi flet për jehonën e madhe ndaj Dinamos: Ne flasim me fakte, shikojini videot

Korabi është një nga ekipet që po bën shumë mirë me nisjen e kampionatit në Kategorinë e Parë. Aktualisht gjenden duke kryesuar, megjithëse renditja aty ka një ngjeshje për kryesimin ashtu si edhe në elitën e futbollit shqiptar.

Por nëse e marrim Korabin dhe e analizojmë si një skuadër të veçantë, padyshim që fjalët më të mira gjenden edhe për trajnerin Dorjan Bubeqi. Ndeshjet kanë qenë gjithmonë me nivel, lojtarët janë vendas dhe mbi të gjitha, pikët e grumbulluara janë më tepër se të gjitha skuadrat e tjera. Por ajo që ka bërë jehonë në ditët e fundit, ishte penalltia që iu dha Korabit në favor ndaj Dinamos, që vendosi fitoren me rezultatin 1-0. I intervistuar nga “Sport Ekspres”, Bubeqi shprehet se skuadra e tij është e vetmja që pasqyron gjithçka në faqen zyrtare dhe se asnjëherë nuk ia faturon dikujt momentet e këqija.

“Që në fillim të fazës përgatitore, ne si staf jemi munduar të krijojmë një ekip me potencial dhe kandidat për ngjitjen në Superiore. Fillimi është shumë i mirë, por janë hapat e para dhe ka ekipe të tjera të barabarta me ne dhe me të njëjtat qëllime. E veçanta jonë është grupi. Në çdo moment, të mirë apo të keq, i kemi kaluar së bashku dhe nuk ia kemi faturuar dikujt.

Unë e kam thënë dhe herët e tjera se do të mundohemi të renditemi në tre vendet e para dhe pastaj do të shikojmë objektivin kryesor. Që kur kam ardhur te Korabi kam patur praninë e sa më shumë lojtarëve dibranë dhe ia kemi arritur. Askujt nuk i shkonte ndërmend kjo paraqitje e Korabit. Ne si klub në çdo mbarim ndeshjen hedhim në faqen tonë zyrtare të gjitha rastet që kanë ndodhur gjatë 90 minutave. Jemi i vetmi klub që transmetojmë në rrjetet sociale ndeshjet live. Mund t’i shikojnë të gjithë dhe të vendosin për penalltitë e marra. Interpretimi bëhet sipas dëshirës, ne flasim me fakte. Dua të theksoj se në të gjithë këto arritje merit ka kryetari i Bashkisë, Dionis Imeraj, presidenti Fehmi Mziu dhe tifozat e zjarrtë dibranë që na kanë mbështetur në çdo moment”, ka thënë Bubeqi. /Sport Ekspres/