Duka e mban fjalën e dhënë, FSHF i vjen në ndihmë të gjitha klubeve shqiptare me 1 milionë euro

Futbolli shqiptar gjendet në një situatë të vështirë si pasojë e pandemisë Covid-19. Ndërprerja e kampionatit ka dhënë edhe efektet e veta në arkat e klubeve, ndërsa qeveria shqiptare e ka bërë të qartë se nuk do të japë asnjë ndihmë financiare për sportin, duke e lënë në baltë këtë të fundit. Por të njëjtën gjë nuk e bën FSHF-ja, teksa presidenti Armand Duka u zotua se do i gjendej pranë klubeve shqiptare në këtë periudhë të vështirë.

E këto nuk janë thjesht fjalë, pasi kreu i FSHF-së është i vendosur ta mbajë premtimin e tij. “ABC News” bën me dije se një fond prej 1 milionë eurosh do të adresohet për klubt shqiptare prej Federatës shqiptare. Madje për të mos humbur shumë kohë paratë do të dalin nga buxheti i FSHF-së, që ka nisur një grup pune për të bërë shpërndarjen e këtij fondi. Ndërkohë nga kjo shifër do të përfitojnë të gjitha klubet e futbollit në Shqipëri dhe jo vetëm ato të Superiores, por edhe nga kategoritë më të ulta./Sport Ekpres/