Danilo Alvesh: Goli çlirim i madh, për kreun flasim pas dy ndeshjsh

Kishte shënuar vetëm një gol në kampionat këtë sezon, e ka vuajtur shumë mungesën e golit, ka pasur edhe ndonjë shpërthim nervash kur trajneri Duro e ka kritikuar për mungesën e qetësisë dhe saktësisë para porte. Megjithatë, goli i djeshëm, i pari pas 4 muajsh, ishte një çlirim për lojtarin më të mirë të ndeshjes së djeshme.

“Po, 4 muaj janë shumë për një sulmues. Shënova në një ndeshje shumë të rëndësishme, jam shumë i lumtur, por mbi të gjitha e rëndësishme është të fitojë Flamurtari. Unë jap gjithnjë maksimumin, jam në shërbim të skuadrës dhe jam i kënaqur, tani shpresoj te fitorja edhe në Tiranë për të shkuar në gjysmëfinale”, u shpreh sulmuesi brazilian pas ndeshjes në mikrofonin e “Gol pas goli” në Supersport.

Për Danilon është shtuar ndjeshëm konkurrenca në sulm, por ai nuk shqetësohet: “Po, është rritur ndjeshëm rivaliteti për një vend në formacion, jemi shumë sulmues, por unë punoj dhe jap maksimumin. Shumë mirë për Flamurtarin që jemi shumë sulmues, sepse duhet të shënojmë sa më shumë gola për të qëndruar në vendet e para të renditjes. Tani kemi dy ndeshje mjaft të rëndësishme, shpresojmë të fitojmë”.

Titulli kampion nuk është tabu, por Alvesh kërkon durim, ashtu si trajneri Duro: “Profesor Duro na thotë gjithnjë që të shohim ndeshjet e radhës, shohim ndeshjen e radhës në Kukës, më pas me Skënderbeun, e me radhë. I marrim ndeshjen një nga një, të shohim ku jemi në renditje pas dy ndeshjeve direkte, nëse do të jemi afruar dot me kreun”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *