Daja: Titulli në Shqipëri prioritet, shpresoj që Dinamo të mos jetë i motivuar

0

Ilir Daja nuk i zë besë Dinamos së Kievit dhe e di që do të jetë një ndeshje mjaft e ndërlikuar nesër, sepse fakti që ukrainasit janë të kualifikuar është një thikë me dy presa. “Duam të fitojmë, por natyrisht duhet një sakrificë e madhe që të mund të fitojmë nesër dhe kundër Jang Bojs në ndeshjen e fundit. Motivimi është, por do të jetë e vështirë, sidomos duke ditur që nuk varet më vetëm nga ne. Më gëzon fakti që nuk kemi më ndjenjën e inferioritetit dhe jemi pothuajse njësoj si ata në karakter dhe në iniciativë”.

Kampionati shqiptar është prioriteti i Skënderbeut, që kërkon të rifitojë titullin, që e humbi sezonin e fundit: “Derisa objektivi është fitimi i kampionatit, janë 6 pikët me Partizanin dhe me Kukësin. Titulli është primar për ne ndaj edhe 6 pikët me dy rivalët tanë janë më të rëndësishme. Por ama nëse fitojmë me Dinamon, mund të kishim një bonus psikologjik për të bërë sërish diferencën me kundërshtarët tanë. Do ta ndjejmë mungesën e tifozëve, sepse në këto ndeshje jo vetëm tifozët e Korçës, por të të gjithë Shqipërisë na kanë mbështetur”.

Dinamo luan pa shumë titullarë, duke qenë i kualifikuar: “Ka anët pozitive dhe ato negative. Së pari, është e rrezikshme sepse ata do të luajnë pa pikë presioni dhe kjo ndonjëherë të bën më të rrezikshëm. Nuk kanë asnjë ngarkesë psikologjike. Nga ana tjetër, është e vërtetë që kur je i kualifikuar ndoshta nuk motivohesh 100 për qind. Kjo mund të jetë pozitive. Asgjë nuk më tremb. Në disa momente të veçanta kemi vuajtur mungesën e eksperiencës, por gjithsesi ne jemi paraqitur mirë. Ajo që më tremb mua është ndonjë rezultat që nuk shkon për shtat me nivelin e lojës që kemi treguar deri tani”.

Kthehet Lilaj: “Po, Lilaj do të jetë titullar. Është i vetmi që mund të konfirmoj. Ndërsa Jashanica do ta nisë nga stoli. Sa i përket pjesës tjetër do ta mësoni formacionin nesër”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image