Besnikët e izolimit! Dy ekipet që do të vuajnë më shumë, Vllaznia rrezikon sërish makthet e së shkuarës

Nga Klaudio Ndreca

Ende i freskët është kujtimi i maktheve të Kategorisë së Parë në Shkodër, kur Vllaznia ra nga Superiorja. Një njollë e madhe në historinë e klubit, por që nuk mbaron me kaq. Fundja shumëkush e ka provuar përfaqësimin në këto nivele dhe nuk duhen shtuar notat e dramatikes, por në Shkodër nuk mund të kalohet kaq lehtë.

Flasim për njerëzit që janë më sportdashës në Shqipëri, por prej vitesh shohin ekipin që nuk i përfaqëson në mënyrën e duhur. Edhe në këtë vit rreziku është i madh që Vllaznia të rrezikojë dhe të diskutojë rënien nga elita.

Pyetja që shtrohet: “Kë ekip do të lënë mbrapa për të mos u gjendur në vendin e Play-Off-it dhe të evitojë më të keqen?”. Bylisi që ndodhet sipër tyre në tabelë nuk e ka ndalur kurrë stërvitjen dhe rezultatet do të tregohen edhe në fushën e lojës.

Pas krizës së Koronavirusit, Vllaznia ka kaluar shumë pushime, edhe mes bojkotit të stërvitjes për shkakun e rrogave. Në një ambient të tillë është e pamundur që të pritet mrekullia. Për të mos diskutuar lënien pas të Partizanit dhe Teutës, që bëhet një mision edhe më i pamundur.

Pra në llogaritë e para të bëra dhe llogjikën sesi pritet vazhdimi i Superiores, do të jetë e vështirë për Vllazninë që të lëviz nga vendi i 8.

E për të vazhduar me Skënderbeun, një tjetër besnik i rregullave dhe karantinimit. Trajneri Daja është shprehur se korçarët janë e vetmja skuadër që kanë zbatuar në përpikmëri urdhërat e Qeverisë, duke mos bërë asnjë ditë stërvitje ilegale. E nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë përgatitja e skuadrës do të jetë dukshëm nën nivelin e kundërshtarëve dhe kjo do të reflektojë në rezultatetet e marra të paktën në 3 ndeshjet e para të epokës së re pas Kovid-19. Mjaftueshëm për të humbur terren në një kampionat të ngjeshur dhe ku konkurrenca është e madhe për garën e Europës. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *