Benevento dhe tifozët e saj na dhanë leksion jete!

0

Anton Cicani

Është një e shtunë e zakonshme pranverore, teksa rrezet e diellit kanë nisur të paralajmërojnë se do të jetë një tjetër verë e nxehtë edhe këtë vit… Fundjava, sigurisht për ata që kanë mundësi, është e shenjtë, pasi të jep mundësi të s’lodhesh, shpenzosh dhe shijosh kohën me familjarët dhe miqtë e ty, t’i përkushtohesh ndonjë hobi personal, apo thjesht edhe të flësh për të rikuperuar energjitë e një jave të lodhshme… Por, ata ishin sërish aty, në stadium, duke ndjekur skuadrën e zemrës, që ka certifikuar rënien nga kategoria që përpara dy javësh…

Në stadiumin “Vigorito”, nuk mungon asnjë, nga brezi i ri te ai i vjetër. Nga ata që me paratë e biletës mund të konsumonin një kafe, arranciatë apo qoftë edhe një panine… Luan Benevento, skuadra e zemrës dhe, për asnjë gjë në botë, nuk duhet lënë vetëm. Sidomos tani. Thonë që njerëzit që të duan dallohen kur je vetëm, kur je vështirësi, ndërsa ata që nuk të kanë dashur kurrë largohen kur ke nevojë dhe kthehen me një fytyrë tjetër kur ke kaluar gjithçka…

Muzgu ka nisur të bjerë teksa Diabate ka shënuar një tjetër gol dhe i ka dhënë fitoren skuadrës verdhekuqe, e fundit në renditje, e cila pikën e parë në këtë sezon e mori ndaj Milanit, në debutimin e Gatuzoz (më pas, arriti edhe historinë duke fituar në “San Siro”). Stadiumi vlon, tifozët bërtasin, flamujt valëviten, ndërsa arbitri vërshëllen fundin e ndeshjes. Benevento ka mundur Xhenoan dhe ka luajtur sfidën e fundit brenda fushës në Serinë A për këtë sezon, në pritje për të parë se kur do ta bëjë sërish, në një të ardhme. Pasi, sezonin tjetër do të luajë në Serinë B.

 

Mendoni se mund të jetë problem? Aspak, jo për ata, që u përgatitën që në javë të 10-të të Serisë A se vitin tjetër do të duhet të ktheheshin të luanin ditë të shtune dhe jo të dielën. Megjithatë, edhe sot, na dhanë një leksion jete: kurrë mos u dëshpëro, thjesht beso, thjesht gëzo, thjesht merre me optimizëm. Duartrokitje pafund përpara skuadrës dhe një kor dedikuar lojtarëve. Pikërisht ata, tifozët e një skuadre që e quajnë “Shtriga”… Në pritje të magjisë së radhës. Ata e fituan kampionatin e tyre dhe, nëse ka diçka që do t’i ngelë peng është vetëm fakti që nuk patën mundësi të merrnin aq sa meritonin. Punë e madhe!

 

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.