Ardit Hoxhaj: Më bindi projekti, ky Flamurtar fiton trofe!

0

Sulmuesi i huazuar për një sezon nga Skënderbeu: Duro më kërkoi me ngulm, po ashtu edhe drejtuesit.

Elton Nika

Flamurtari nuk ka të ndalur në merkato. Ardit Hoxhaj është kthyer tashmë zyrtarisht te skuadra vlonjate. Akordi mes palëve kishte ditë që ishte arritur, ashtu siç “Sport Ekspres” konfirmoi ditë më parë. Sulmuesi Hoxhaj dje ai ka hedhur edhe të zezën mbi të bardhë. Pas eksperiencës te Bylisi, Skënderbeu dhe Korabi, ai vesh përsëri fanellën e skuadrës së qytetit të tij. Hoxhaj vjen në Vlorë me formën e huazimit dhe fuqizon sulmin, ku të gatshëm janë edhe lojtarë si Danilo Alvesh, Ardit Shehaj, me shumë mundësi edhe Tomislav Bushiç. Ardit Hoxhaj është afrimi i katërt i Flamurtarit në këtë merkato vere, pas Bicajt, Siljanovskit dhe portierit Adis Nurkoviç. Një merkato, që duket se nuk do të mbyllet këtu, pasi vlonjatët janë në bisedime me disa lojtarë të tjera. Më shumë nevojë për përforcime ka reparti i mesfushës, që patjetër duhet të plotësohet. Pas firmës në kontratë, sulmuesi Ardit Hoxhaj ndihet mjaft i kënaqur dhe për “Sport Ekspres” ka dhënë dje këtë intervistë:

– Hoxhaj, jeni rikthyer te Flamurtari pas disa sezonesh. Ishte një lëvizje e menduar më parë apo e papritur?

– Po, kemi zyrtarizuar gjithçka sot (dje), edhe pse marrëveshja ishte arritur kohë më parë. Jam i kënaqur, që jam rikthyer në shtëpinë time, ku synoj të jap maksimumin për skuadrën e qytetit tim dhe natyrisht të arrijmë sa më shumë suksese. Situata erdhi e tillë dhe unë jam shumë i kënaqur që jam kthyer.

– Te Flamurtari në formë huazimi apo përfundimisht?

– Në fakt, kartoni im i përket Skënderbeut dhe te Flamurtari jam në formën e huazimit. Të dy klubet kanë rënë dakord dhe tashmë jam këtu. Megjithatë, pse jo besoj se shumë shpejt Flamurtari ka për ta blerë të plotë kartonin tim. Për sezonin e ri jam i huazuar, pasi për kaq është marrëveshja e huazimit. Të shohim më pas.

— Bylisi, Skënderbeu dhe Korabi. Sa ju kanë shërbyer këto eksperienca?

– Te Bylisi kam zhvilluar një sezon shumë të mirë, më pas kalova te Skënderbeu dhe në fund u huazova te Korabi. Dëshira për të qenë te Flamurtari ka ekzistuar edhe më parë, por u bë realitet vetëm tani. E doja edhe më parë këtë transferim.

– Si ndodhi, kush ju ftoi?

— Ishte fillimisht trajneri Shpëtim Duro, i cili më kërkoi me ngulm të rikthehesha te Flamurtari. Kontaktet tona kanë qenë të vijueshme dhe dua ta falënderoj trajnerin për vlerësimin. Por  edhe drejtuesit e Flamurtarit e kanë dëshiruar shumë rikthimin tim, ndaj dhe jam i kënaqur për vlerësimin e tyre, duke kërkuar që këtë besim tashmë ta justifikoj në fushën e lojës.

– Çfarë sezoni prisni me fanellën e Flamurtarit?

— Me plot gojën besoj shumë te ky projekt i Flamurtarit. Trajneri Duro ka bërë një punë shumë të mirë që kur erdhi në Vlorë dhe eksperienca e tij është mjaft e rëndësishme. Ju e keni parë edhe vetë se gjatë kësaj kohe skuadra ka lëvizur mjaft mirë në merkato. Prandaj, pres padyshim një sezon cilësor, Një Flamurtar që të shkojë në Kupat e Europës dhe të fitojë trofe. Gjithçka do të shihet gjatë rrugës.

– Edhe tifozët e kanë vlerësuar rikthimin tuaj në skuadër. Çfarë mesazhi keni për ta?

– Në fakt, tifozët e Flamurtarit më kanë kërkuar edhe më parë të kthehem. Vlerësimi i tyre më entuziazmon dhe dua t’i falënderoj publikisht. Dua të shpërblej besimin e të gjithëve në fushë, me lojë dhe gola. Të gjithë bashkë do të përpiqemi për një Flamurtar në nivele të larta, ashtu si të gjithë vlonjatët duan të jetë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here