Arbri mbyll karrierën 28 vjeç: Ditë e zezë, fati deshi kështu!

Mbrojtësi, në kulmin e pjekurisë futbollistike, var këpucët në gozhdë. “Pengu më i madh, titulli që nuk fitova me Kukësin, por në Shkodër u ndjeva si në shtëpi. E ardhmja? Në fillim familja, pastaj…”

Anton Cicani

Zgjimi herët, dushi, mëngjesi, një puthje bashkëshortes (për ata që janë të martuar) dhe vajzës (pë ata që kanë fëmijë), veshja dhe ikja për në punë, por jo një punë dosido, por hobi, pasioni dhe profesioni yt. Aty ku djersa ka aromën e një parfumi që nuk gjendet në treg, aty ku  luan në një komunitet, ku krijon shumë miqësi, njihesh me shumë histori që herë të frymëzojnë, herë të dëshpërojnë apo të bëjnë pesimist. Por, sidomos ti edhe topi i futbollit. Stërvitje dhe ndeshje. Në disa raste, edhe trofe. Tifozët që të duartrokasin, ndonjëherë edhe kritikojnë, por që të bëjnë të ndihesh i vlerësuar, gjithsesi. Jeta e një futbollisti është kjo. Një jetë e mbushur me shumë ulje dhe ngritje, por edhe me rreziqet e dëmtimit. Pikërisht ato janë të pashmangshme dhe ato mund të vendosin për ty. Si do të ndiheshit nëse një dëmtim do t’iu hiqte profesionin, bukën e gojës, por edhe pasionin, dëshirat dhe emocionet? Nuk duam ta mendojmë aspak se si ndihet Polizoi Arbri, i cili dje i ka dhënë lamtumirën këtij sporti në moshën 28 vjeç. Tepër i ri, pikërisht atëherë kur futbollisti arrin moshën e pjekurisë në karrierën e shkurtër futbollistike. Kroçiati ka bërë “krack” dhe ai s’ia ka dalë. E dhimbshme! Për “Sport Ekspres”, lojtari rrëfen gjithë hidhërimin e këtij lajmi tronditës, pasi u konsultua edhe me mjekët.

….

Një vendim shumë i fortë ky, për të mbyllur karrierën si futbollist dhe varur këpucë në gozhdë në kulmin e moshës. Si ndihesh?

Shumë keq. Nuk e mohoj. Siç edhe e thatë, në kulmin e moshës, s’është e lehtë që një ditë të mos veshësh më këpucët dhe fanellën e një skuadre, duke hequr dorë nga profesioni yt, për të cilin ke investuar pasion, djersë dhe shumë kohë. Megjithatë, kështu e ka jeta. Gjërat ndonjëherë nuk parashikohen por duhet të jesh i fortë t’i përballosh edhe vështirësitë.  Fati deshi kështu, edhe pse mbetet një ditë e zezë.

Kaq i rëndë ka qenë dëmtimi, saqë nuk kishte më shpresë?

Nëse mjekët do të më thonin që do t’ia dilja, dakord që mund të shpresoja sërish, por është vërtet një situatë e vështirë dhe do të më duhej edhe një tjetër vit e gjysmë jashtë, për t’u riaftësuar dhe më pas do të rinisja aktivitetin. S’është pak, sidomos duke ditur se çfarë kam hequr.

Ku je dëmtuar këtë herë, pasi ke kryer dy operacione, te Vllaznia dhe më pas te Kukësi?

Këtë herë, këputa kroçiatin, sepse më parë ndërhyrjet i kam bërë në kartilaxh, që është një pjesë tjetër e gjurit.

Si është historia e dy operacioneve dhe e fundit, që solli vendimin drastik?

Praktikisht, kur isha te Vllaznia dhe u dëmtova, bëra operacionin dhe më pas riaftësimin me terapinë e duhur, por rezultoi që nuk shkoi mirë, ndaj edhe më pas u detyrova sërish që të hyja në dhomën e operacionit. Luajta një ndeshje me Kukësin dhe m’u rishfaq problemi, ndaj edhe vendosa që të bëja një operacion të dytë, pasi ndryshe s’do të kisha shkuar në sallën e ndërhyrjes kirurgjikale. Pas rikuperimit, ndjeja shqetësim në kroçiat dhe pasi bëra ekzaminimet, doli që e kisha këputur.

Po tani që e ke mbyllur me topin, me çfarë do të merresh, pasi për ty ishte profesion?

Për momentin do të qetësohem dhe qëndroj pranë familjes time. Më pas, kam plane të tjera me bashkëshorten.

Si e priti familja lajmin?

Normalisht i vjen keq për mua, por në anën tjetër do të qëndroj më shumë me ata. Ata kanë qenë mbështetja ime kryesore dhe kanë vlerësuar vendimin tim.

Ndahesh me pengje?

Po, sigurisht.

Cili është pengu më i madh?

Fitimi i titullit me Kukësin.

Te kush skuadër je ndier më mirë në karrierën tënde?

Kudo qe kam luajtur jam ndjerë vërtet mirë, por do të theksoja që te Vllaznia jam ndjerë si në shtëpinë time.

Momenti më i bukur në karrierë?

Fitimi i kupës me Flamurtarin, që s’do ta harroj.

Po tani që s’do të jesh më protagonist në fushë, për cilën skuadër do të bësh tifo?

Natyrisht, për Vllazninë.

A mendon se Kukesi do të përmbysë Sherifin, në ndeshjen e kthimit?

Kam luajtur me Kukësin dhe i ndoqa edhe në ndeshjen në Moldavi. Kukësi ka treguar që di të përmbysë rezultatet dhe kam besim.

Sa mesazhe të kanë ardhur pasi lajmërove tërheqjen?

Shumë, se ke idenë se sa. i falënderoj nga zemra, ma bënë këtë ditë më pak të hidhur nga sa nisi, kur vendosa të lë futbollin.

 

Skeda personale

Emri: Polizoi

Mbiemri: Arbri

Mosha: 28 vjeç

Datëlindja: 09.09.1998

Pesha: 78 kg

Gjatësia: 182 cm

 

Karriera e Arbrit me klubet

Sezoni                   Skuadra               Nd.         Gl.

2006–2007           Tomori                  16           0

2007–2009           Lushnja                 18           1

2009–2011           Bylis                      57           5

2011–2015           Flamurtari             84           4

2015–2016           Vllaznia                 19           1

2016–                    Kukësi                 2              0

 

Me kombëtaren

2004–2005           Shqipëria U17    3              0

2005–2007           Shqipëria U19    2              0

2008–2010           Shqipëria U21    6              1

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *