Tashmë është dhe zyrtare, mbrojtësi brazilian Enrike Dalbert është një lojtar i Interit. Mbrojtësi i ardhur nga Nica ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me klubin e Milanos pasi ka kaluar me sukses vizitat mjekësore paraditen e së martës. Ai ka mburritur të hënën në Milano, por vetëm dje ka mbyllur gjithçka me vizitat mjekësore dhe me firmën. Pasdite ai ka takuar dhe shokët e rinj të ekipit, teksa sot ai do të nisë dhe punën me skuadrën e tij të re. Enrike Dalbert do të vendoset në krahun e majtë të mbrojtjes së Interit, një rol tepër delikat, pasi prej shumë vitesh Interi nuk ka mundur të gjejë stabilitet në këtë sektor të fushës. Paraqitjet e tij tek Nica kanë qenë shumë bindëse dhe trajneri Spaleti ka dhënë miratimin e tij për firmën me brazilianin. Te Interi shpresojnë që pas vitesh më në fund të gjejnë mbrojtësin e majtë të duhur për ekipin e tyre, teksa mediat italiane raportojnë se ai ka mbërritur tek zikaltërit për të qenë titullar i padiskutueshëm. Sa i përket shifrave të transferimit, në arkat e Nicës, Interi ka derdhur 20 milionë euro si dhe shpërblime të tjera në varësi të paraqitjes që do të bëjë lojtari gjatë 5 viteve zikaltër. Ndërsa vetë lojtari do të përfitojë një pagë vjetore prej 1.2 milionë eurosh. Me mjaft interes pritet për t’u parë pozicioni i Dalbert në krahun e majtë, teksa te Interi janë dhe 3 lojtarë të tjerë aktualisht që mbulojnë këtë krah, Santon, Ansaldi dhe Nagatomo