Tashmë është zyrtare. Çezare Prandeli është trajneri i ri i ekipit të Xhenoas. 61-vjeçari rikthehet në Serinë A pas 8 vitesh, ndërsa për herë të fundit drejtoi Fiorentinën. Ish-trajneri i Italisë, i cili dërgoi të kaltrit në finalen e Euro 2012 do të zëvendësojë kroatin Juriç në stolin e ekipit ligur.
Prandeli ka firmosur deri në vitin 2020, ndërsa prezantimi i tij do të bëhet nesër. “Klubi i Xhenoas i ka besuar drejtimin teknik të skuadrës ish-trajnerit të kombëtares italiane, Çezare Prandelit. Duke i uruar më të mirën në punën e tij trajnerit të ri, klubi i uron mirëseardhjen dhe zëvendësit Gabriele Pin dhe gjithë stafit që plotësohet nga: Valter Vio (përgatitësi atletik), Marko Fumagali dhe Lorenco Ciuli. Prezantimi i Prandelit do të bëhet me datë 8 dhjetor në orën 11:30″, shkruan komunikata zyrtare e klubit të Xhenoas.
Rreth trajnerit të ri ka folur dhe Enriko Preciozi, presidenti i klubit xhenovez. “Prandeli do t’i rregullojë gjërat në ekip dhe jam i bindur që do ta mbyllim kampionatin në pjesën e sipërme të tabelës. Po ndjekim disa lojtarë dhe do të ndërhyjmë në janar për të përforcuar skuadrën. Është një moment i vështirë, unë nuk dorëzohem dhe do ta kalojmë këtë situatë”, komenton Preciozi.