Pak kohë më parë, Didier Drogba u shpreh se “më ka pëlqyer gjithmonë të luaj futboll, por në moshën 40-vjeçare është koha për t’i dhënë fund. Kam nevojë për kohë për projekte të tjera personale”. Sulmuesi i famshëm nga Bregu Fildishtë i ka dhënë fund zyrtarisht karrierës së tij, pas finales kundër Luisvill Sitit.
40-vjeçari ishte pjesë e Phoenix Rising në divizionin e dytë të futbollit amerikan (USL), ndërsa ndihmoi ekipin e tij të fitonte Konferencën e Perëndimit me golin e shënuar përballë Orange County SC.
Phoenix u përball në finalen e madhe me fituesit e Konferencës së Lindjes, ekipin e Luisvill, ndeshje që u fitua nga këta të fundit me rezultatin 1-0. Një mbyllje me humbje e një karriere të lavdishme. Ish-sulmuesi i Çelsit e mbylli karrierën e tij me 4 Premier Liga të fituara, 3 Kupa Lige, 2 “Community Shield”, 4 FA Cup, një kampionat, 1 Kupë dhe 1 Superkupë në Turqi me Gallatasarain dhe Champions-in e paharrueshëm me Çelsin në sezonin 2011-2012.
Potencë, sens goli, një fizik “përbindëshi” dhe një nga ata sulmues që krijojnë të vetëm repartin ofensiv. Mbi 200 gola të shënuar në karrierë me klubet dhe 65 gola të shënuar me Bregun e Fildishtë. Bashkë me Zhorzh Ueah dhe Samuel Eto, Drogba është shpallur si një nga tre sulmuesit më të mirë afrikan të historisë, ndërsa tashmë i jep fund karrierës së tij për t’u përqendruar në projekte të tjera.